Gjykata e Lezhës ka caktuar masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për dy shtetasit e arrestuar pak ditë më parë, pasi u kapën me mina me telekomandë, lëndë narkotike, fitil zjarrpërcjellës, telefona dhe automjete.

Gjykata ka lënë në burg shtetasit Artur Popa, 46 vjeç, lindur në Kukës e banues në Valias, Kamëz, i cili ishte dënuar dhe më parë për trafikim armësh, mbajtje të bombave e minave dhe prodhim e shitje narkotikësh, si dhe Valtor Cala, 30 vjeç, lindur e banues në Tiranë. Dy personat e arrestuar nuk kanë thënë asgjë para trupës gjykuese.

Operacioni policor:
Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative kishte regjistruar procedimi penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, ku si rezultat i një pune disa javore me metoda speciale të hetimit u arrit të dokumentohej aktiviteti i tyre kriminal.

Shtetasi Artur Popa me automjetin e tij me targë AA 811 GF, i shoqëruar nga automjeti tjetër me targë AA 733 DM, që drejtohej nga shtetasi Valtor Cala, transportonte 3(tre) mina me telekomandë ku në hyrje të qytetit të Lezhës, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë duke kapur në flagrancë të dy shtetasit e lartpërmendur.

Gjithashtu gjatë kontrollit shtetasit Artur Popa ju gjet dhe një sasi prej 55 gramë lëndë narkotike e llojit cannabis sativa e ngjashme me atë të vajit të hashashit.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, nga grupi hetimor u sekuestruan në cilësinë e provës materiale:

3 mina me telekomandë të pajisura me telefon për shpërthim në distancë.

  • 55 gramë lëndë narkotike e ngjashme me atë të vajit të hashashit.
  • 14 telefona celularë.
  • dy automjete
  • 3 fitila si ato zjarrpërcjellës.
  • një çantë ku ishin futur minat

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe municionit”, “Mbajtja e bombave dhe minave me telekomandë në mjedise publike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.