Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ka thirrur në një takim drejtuesit e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit teksa po vijon operacioni “Bregdeti Ynë” për shembjen e ndërtimeve pa leje. Çuçi gjatë bisedës me ta iu ka dhënë një urdhër të prerë që të vijohet gjithashtu me shembjen e objekteve që nuk legalizohen. Ai theksoi edhe njëherë se kontrolli i territorit është një ndër prioritetet kryesore të qeverisë prandaj do të investohet edhe në pajisje të teknologjisë së lartë.

“IKMT është një nga agjencitë më të rëndësishme. Jo më kot e kaluam në varësi të Ministrisë së Brendshme sepse duam një strukturë shumë të fortë reaguese në terren për të kontrolluar territorin nga ndërtimet pa leje dhe dëmtimi i mjedisit. Duhet të vijoni sa më shpejt me shembjen e objekteve që janë skualifikuar nga procesi i legalizimit”, tha Çuçi.

Ministri i Brendshëm kërkoi gjithashtu një bashkëpunim më të mirë të IKMT dhe Policisë së Shtetit kur është fjala te kontrolli i territorit dhe në mënyrë të veçantë te ndërtimet e reja që bëhen. Veç kësaj Çuçi kërkoi që IKMT të konsiderojë po aq shumë edhe dimensionin tjetër që ka kjo strukturë, atë të mbrojtjes së mjedisit. “Jeni po aq të rëndësishëm edhe për mjedisin sa te ndërtimet”, u shpreh ministri Çuçi.

Operacioni “Bregdeti Ynë” nisi në muajin qershor dhe po vijon ende përgjatë gjithë vijës bregdetare nga Velipoja në Ksamil. Janë shembur qindra objekte pa leje apo në tejkalim të lejes së ndërtimit, janë vendosur qindra milionë gjoba ndaj subjekteve dhe shumë persona po ndiqen penalisht. IKMT do të shembë gjithashtu ndërtimet pa leje edhe në zonat e mbrojtura, si dhe ato përgjatë akseve rrugore kombëtare.