Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka prezantuar ditën e sotme në Kuvend detaje nga akti i ri normativ për ndryshime në ligjin e Buxhatit të vitit 2025, i cili është miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe tashmë kërkon edhe votimin në Parlament.

Malaj është shprehur se ky akt normativ adreson nevojën e mbështetjes së shtresave në nevojë, siç janë familjet me ndihmë ekonomike dhe mbështetjen e personave me aftësi të kufizuar.
“Vijmë sot për diskutimin dhe miratimin e aktit normativ për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin e buxhetit të vitit 2025, të miratuar tashmë nga Këshilli i Ministrave dhe që u hartua si një domosdoshmëri për të reflektuar disa ndryshime në buxhetin e vitit 2025. Ky akt plotëson të gjitha kriteret kryesore, siç është nevoja për të reflektuar përkohshmërinë e zbatimit të tij, si dhe domosdoshmërinë e votimit nga ky Kuvend. Akti normativ adresoi në mënyrë të mënjëhershme nevojën e mbështetjes së shtresave më në nevojë, siç janë familjet me ndihmë ekonomike, personat me aftësi të kufizuar dhe kujdestarët e tyre. Kemi garantuar edhe fondet e nevojshme për skemën e pensioneve.

Qeveria Rama ka treguar në mënyrë të vazhdueshme se mbrojtja sociale do të mbetet një nga prioritetet tona. Për vitin 2025 mbështetja buxhetore për famijet që kanë përfituar ndihmë ekonomike dhe për personat me aftësi të kufizuar arriti në vlerën 256 milionë euro, përfshi këtu edhe fondin për bonusin e fundvitit. Ndërsa për kategorinë e pensionistëve, që përfshin bonusin plus indeksimin, fondi buxhetor u llogarit në rreth 120 milionë euro.

Ne kemi zgjedhur të mbështesim ato shtresa që kanë më shumë nevojë. Ne përmes këtij akti normativ synojmë transferimin e të gjitha fondeve të buxhetit 2025, që nuk janë përdorur nga ministritë apo institucionet buxhetore, të transferohen në llogarinë e mbështetjes së pensionistëve pranë Bankës së Shqipërisë. Po ashtu, përmes aktit normativ ne synojmë mbështetjen e shtresave në nevojë, por edhe rialokimin e kursimeve të evidentuara që nga janari 2025 drejt projekteve që kanë pasur një ecuri më të mirë.

Ne parashikojmë që viti 2025 të mbyllet me një rritje ekonomike prej 3.9 %. Sa i takon borxhit publik, sipas vlerësimeve paraprake që Ministria e Financave ka kryer, ai pritet të jetë nën masën 54 % të PBB-së, në fund të vitit 2025 dhe ky është niveli më i ulët i Borxhit Publik që kemi pasur që nga viti 2010. Në total të ardhurat nga tatimet, doganat dhe kontributet, sipas të dhënave paraprake, u mblodhën në vlerën 668 miliardë lekë, me rreth 560 milionë euro të ardhura të arkëtuara krahasuar me vitin 2024.

Prandaj në këtë kontekst, me anë të këtij akti normativ ne synojmë mbajtjen të pandryshuar të totalit të të ardhurave buxhetore, rishpërndarjen e rreth 30 miliardë lekëve kursime të evidentuara për realizim sa më të plotë të shpenzimeve publike”, tha mes të tjerash Malaj.

Artikulli paraprakGJKKO NUK PRANON KËRKESËN E FATMIR MEDIUT, SHTYHET SEANCA
Artikulli tjetërSPAK KËRKON ARRESTIMIN E BALLUKUT, BARDHI: KUVENDI ËSHTË KTHYER NË BUNKER KORRUPSIONI