Me ftesë të Ministrit të Mbrojtjes së Sllovenisë Marjan Ŝarec, Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi vizitoi sot Slloveninë, për të diskutuar rreth bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Në bisedën mes dy ministrave u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira dhe bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Sllovenisë jo vetëm në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.Ministri Niko Peleshi theksoi se Sllovenia është një partnere e Shqipërisë dhe një mbështetëse e saj në rrugën e gjatë të integrimit në Bashkimin Europian. Në konferencën e përbashkët për mediat, Peleshi tha se e njoftoi homologun e tij Ŝarec mbi zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, mbi reformat e realizuara si dhe angazhimin maksimal të qeverisë shqiptare drejt përmbushjes së objektivit madhor atë të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Duke vënë theksin tek roli i Shqipërisë në favor të fqinjësisë së mirë, prosperitetit dhe promovimit të vlerave demokratike në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ministri Peleshi tha se kërkoi nga homologu slloven të vijonte mbështetjen në përfshirjen e Kosovës në nisma rajonale, në të cilat ajo mund të japë kontributin e saj dhe të jetë një vlerë e shtuar për zhvillimin e bashkëpunimit rajonal. Ministri i Mbrojtjes e njohu ministrin Ŝarec edhe me reformat dhe vëmendjen e veçantë të qeverisë shqiptare për reformimin dhe modernizimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, duke përfshirë këtu investime në fushën e mbrojtjes kibernetike, në industrinë ushtarake si dhe përmirësimin e ndjeshëm të trajtimit financiar të ushtarakëve.

“Një vëmendje të veçantë po I kushtohet reformave në fushën e edukimit dhe trajnimit të personelit të Forcave të Armatosura, për të cilat personalisht besoj fort se një investim i tillë sot do të sjellë një të ardhme më të ndritur dhe cilësore për ushtrinë shqiptare”, u shpreh Ministri i Mbrojtjes. Ministrat e Shqipërisë dhe Sllovenisë shkëmbyem ide dhe ranë dakord të intensifikojnë bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes si dhe angazhuan stafet respektive në hartimin dhe implementimin konkret të këtyre ideve.

Artikulli paraprakSEANCË DHURIMI GJAKU PËR TALASEMIKËT
Artikulli tjetërBIDEN TAKIM ME KRYEMINISTRIN JAPONEZ, SHBA DHE JAPONIA ZOTOHEN PËR MË SHUMË SANKSIONE NDAJ RUSISË