Dënimi me gjobë prej 300 eurosh dhe një muaj ndalim hyrje në Mal të Zi, i shkodranit Irfan Domnori, pasi me 16 nëntor në Krajë të Malit të Zi festoi me flamur kombëtar, duket se ka përshpejtuar nismën e Ministrisë së të Drejtave të Pakicave në Mal të Zi, të inicioj miratimin e ndryshimit të ligjit për simbolet kombëtare dhe përdorimin e tyre.

Ministri Mehmet Zenka sqaron se ky ligj tashmë pritet që të kalojë në seancën e ardhshme në kuvendin e Malit të Zi së bashku me ndryshimet që do bëhen në ligjin për siguri dhe rend.

“Kushtetuta dhe ligji për pakicat e mundësojnë përdorimin e simboleve kombëtare jo vetëm për shqiptarët, por për të gjitha pakicat në Mal të zi, pasi është një shtet multietnik. Kjo ndalesë ligji nuk vjen jo vetëm për simbolet shqiptare.

Dikur flamuri shqiptar ishte më interesant. Unë si ministër nuk jam në pajtushmëri me sanksionimin e simboleve kombëtare. Ligji i ri e garanton përdorimin lirshëm të simboleve shqiptare dhe jo vetëm. Ka fituar miratimin në 2017-ën. Janë marrë dhe dy përfundime. Ligji për simbolet shtetërore është adaptuar.

Ku u sanksionua përdorimi i simbolit kombëtar. Është përcjell në kuvend ligji dhe pritet të fitojë kalushmmërinë. Me rastin e fundit tejet të papëlqyeshëm, ku përsëri sanksionohet përdorimi i simbolit tonë shqiptar, me intervenimin e ministrisë që unë përfaqësoj pritet që ligji të kaloje kalushmëri në parlamentin e Malit të Zi.

Nuk është më e rrugës që sanksionet të jenë vetëm për simbolet tona shqiptare. Shqiptarët janë element progresiv i këtij shteti. Edhe unë kam për të qenë me flamur shqiptar në festën e 28-29 nëntorit” tha Mehmet Zenka. Partitë Politike shqiptare në Mal të Zi kanë kundërshtuar ligjin e mëparshëm pasi sipas tyre po diskriminohen Shqiptarët në përdorimin e simboleve të tyre kombëtare.