Çdo projekt që propozohet përmes modelit me partneritet Publik Privat (PPP) do të duhet të shoqërohet me studim fizibiliteti sipas kritereve të reja të miratuara nga Ministria e Financave.

Sipas udhëzimit projektet do të duhet të kalojë një analizë të detajuar cilësore dhe sasiore për të justifikuar efikasitetin e tij kundrejt modelit tradicional.
Udhëzimi “Për përcaktimin e metodologjisë së përgatitjes së studimit të plotë të fizibilitetit dhe studimit të thjeshtuar të fizibilitetit”, përcakton se analizës së fizibilitetit do t’i nënshtrohen çdo projekt investimesh në vlerë të lartë.

Por për projektet me PPP kërkohet se duhet të kalojnë në analiza të detajuara të “Vlerës për paranë” dhe “Analizës sasiore të vlerës së parasë”, duke ndërthurur një krahasim mes kostove dhe përfitimeve të modelit PPP dhe atij tradicional të zbatimit të projekteve nga shteti.

Analiza përfshin vlerësime cilësore mbi përfitimet shoqërore, ndarjen e rreziqeve, oreksin e tregut dhe inovacionin e mundshëm, si dhe një krahasim financiar të detajuar për të parë nëse PPP sjell realisht kursime për shtetin.
Udhëzimi përcakton se nëse, pas krahasimit të dy mënyrave të zbatimit të një projekti përmes PPP-së ose me financim dhe zbatim tradicional nga shteti, rezulton se PPP-ja sjell më shumë përfitime (pra, ka vlerë më të lartë për paranë), atëherë ajo konsiderohet mënyra më efikase.

Për të marrë vendimin përfundimtar, duhet të bëhet si analiza cilësore (përfitimet jo-financiare) ashtu edhe ajo sasiore (llogaritjet financiare), si dhe të shihet nëse ka interes nga tregu (pra, kompani private që janë të gatshme ta marrin përsipër projektin).

Nëse vendoset që projekti do të zbatohet me PPP, institucioni që e propozon duhet të japë edhe detajet e tjera: sa do të kushtojë projekti, sa vite do të zgjasë kontrata, sa do të jenë kostot e mirëmbajtjes, dhe çdo informacion tjetër i nevojshëm për përgatitjen e tenderit sipas ligjit për koncesionet dhe PPP-të.

Artikulli paraprakSHQIPËRIA ME RRITJEN MË TË LARTË NË EUROPË PËR NET-QËNDRIMET TURISTIKE
Artikulli tjetërSHKODËR, POLICIA NË 24 ORË ,NJË I ARRESTUAR DHE DISA TË PROCEDUAR PENALISHT