Gjatë 24 orëve të fundit, janë regjistruar 37 vatra zjarri në vend, 4 prej të cilave janë ende aktive. Ministria e Mbrojtjes në përditësimin e fundit të situatës, thotë këto vatra zjarri janë evidentuar në bashkitë: Dibër, Vlorë, Selenicë, Sarandë, Himarë, Vau i Dejës, Korçë, Lezhë, Durrës, Rrogozhinë, Vorë, Tiranë, Kamëz, Cerrik, Belsh, Roskovec, Lushnje, Skrapar, Poliçan, Përmet e Memaliaj. Aktualisht mbeten aktive vatrat në Dibër, Tiranë, Gjirokastër dhe Vlorë.
Në total, nga zjarret e rëna, kryesisht në sipërfaqe me pemë, shkurre dhe barishte, janë djegur rreth 52 hektarë bimësi.
Bazuar në parashikimet e Institutit të Gjeoshkencave, në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, sot priten reshje lokalisht të dobëta në qarqet Shkodër, Kukës, Elbasan dhe Vlorë, ndërsa në qarqet e tjera nuk priten reshje.
Sa i përket zjarreve, pritet nivel “I LARTË” rreziku në qarqet Durrës, Tiranë, Fier dhe Vlorë, nivel rreziku “I MODERUAR” në qarqet Lezhë, Elbasan, Berat, Korçë dhe Gjirokastër dhe nivel rreziku “I ULËT” në qarqet Shkodër, Kukës dhe Dibër.
Strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë të jenë plotësisht të angazhuara, në bashkëpunim me të gjitha institucionet përgjegjëse, për monitorimin dhe ndërhyrjen në kohë në çdo vatër zjarri, me qëllim minimizimin e dëmeve në mjedis dhe rrezikut për jetën e qytetarëve.

Artikulli paraprakHOMAZHE PËR “DËSHMORIN E ATDHEUT” ARBEN ANAMALI
Artikulli tjetërGJOBË DERI NË TRE VJET BURG PËR PARKIM TË DYFISHTË