Vijon pa u ndalur puna për shuarjen e zjarreve në vend. Ministria e Mbrojtjes deklaron se aktualisht po punohet për vatrën e shfaqur në anën tjetër të Malit të Tërbunit e cila është zhvilluar nën ndikimin e erës. 42 efektivë të FA dhe rreth 30 forca te pushtetit vendor po punojnë për vatrat e zjarrit në fshatin Flet në bashkinë e Fushë-Arrëzit dhe në fshatin Dardhë ku situata është delikate dhe po punohet nga ajri me helikopterin tonë për ta izoluar. Në fshatin Thirrë aktualisht situata është më e qetë dhe punohet për vënien nën kontroll të vatrave, ndërkohë vijon sërish operacioni nga toka dhe ajri.

Në qarkun e Lezhës ditën e djeshme është arritur 60% e izolimit te vatrave ndërsa në bashkinë e Mirditës, vatra e zjarrit është me intensitet të ulët. Në “Majën e Rrunës” situata e vatrave të zjarrit vazhdon të jetë problematike. Terreni i vështirë nuk e ka ndaluar punën e efektivëve të cilët vijojnë edhe sot të punojnë nga toka për vënien nën kontroll të disa prej vatrave.

Në fshatin Kaçni në Dibër, gjatë natës zjarri është zhvilluar në dy vatra dhe falë punës së efektivëve është mundësia që deri në fund të ditës së sotme të izolohet. Ditët e fundit disa zjarre përfshinë sërish pyjet në Malësinë e Madhe por falë ndërhyrjes së zjarrëfikësve dhe institucioneve të tjera bashkë me banorë të zonës u arrit shuarja e flakëve.

Ndërkohë si shkak i zjarreve që kanë përfshirë shumë zona të Shqipërisë gjatë këtyre ditëve dëmi i shkaktuar në mjedis, kryesisht djegien e pyjeve është i konsiderueshëm. Nga ana tjetër në pjesën më të madhe të rasteve vijojnë të mbeten anonim autorët e zjarrëvënieve që në shumicën e rasteve janë të qëllimshëm.

Për shkak të terreneve të thyera malore dhe sipërfaqeve të mëdha është e vështirë idenitifkimi i tyre. Institucionet vijojnë të bëjnë thirrje që të gjithë qytetarët të kenë kujdes dhe të shmangin zjarrvëniet sepse rrezikohen banorët që jetojnë afër këtyre zonave.

Artikulli paraprakSHIROKË, KREMTOHET FESTA E SHËN RROKUT
Artikulli tjetërSOT PRITET TË MBËRRIJNË AFGANËT E PARË, MBI 300 DO STREHOHEN NË DURRËS DHE TIRANË, 2000 PREJ TYRE DO SHPËRNDAHEN MES SHQIPËRISË, KOSOVËS DHE RMV