Ministria e Shëndetësisë ndryshon kohëzgjatjen e kufizimeve për grumbullimet pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese i ardhur pas padisë së PR.

Në urdhrin e publikuar në fletoren zyrtare thuhet se ndryshon togfjalëshi “deri në një urdhër të dytë”, i cili zëvendësohet “deri në datën 25.3.2021”.

Pra kohëzgjatja e kufizimeve aktuale, për të cilin GJK kërkoi rishikim do të jetë deri më 25 mars, fiks një muaj para zgjedhjeve. Më pas do të ketë një vendim tjetër për masat apo kufizimet, bazuar në vendimin e Kushtetuese.

URDHËR Nr. 158, datë 11.3.2021
PËR NJË NDRYSHIM NË URDHRIN NR. 633, DATË 17.11.2020 “PËR NDALIMINE GRUMBULLIMEVE NË VENDE TË MBYLLURA APO TË HAPURA”
Në mbështetje të nenit 102, pika 4, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të nenit 7, pika4, të ligjit nr. 15/2016, “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”, të udhëzimeve të Institutit të Shëndetit Publik, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të popullatës nga infeksioni i shkaktuar nga COVID-2019, si edhe vendimit të Komitetit Teknik nr. 1356, datë 11.3.2021, URDHËROJ: Në urdhrin nr. 633, datë 17.11.2020, “Për ndalimin e grumbullimeve në vende të mbyllura apo të hapura”, bëhet ndryshimi si vijon:

1. Në pikën 1 të urdhrit, togfjalëshi “deri në një urdhër të dytë” zëvendësohet me togfjalëshin “deri në datën 25.3.2021”.
2. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.
MINISTËR I SHËNDETËSISË DHE MBROJTJES SOCIALE
Ogerta Manastirliu

ÇFARË THOTË URDHRI NR. 633, DATË 17.11.2020
“1- Të ndalohen grumbullimet me më shumë se 10 persona në vende të mbyllura apo të hapura, konferencat, tubimet, mbledhjet partiake, ceremonitë e festave, ceremonitë martesore dhe organizimet përtej familjare të ceremonive mortore, deri në një urdhër të dytë;

2- Pika 4 e urdhrit nr. 351, datë 29.5.2020 ‘Për marrjen e masave të veçanta dhe kufizimeve për parandalimin e përhapjes së COVID-19’, të ndryshuar, shfuqizohet;
3- Ngarkohen për zbatimin e këtij urdhri organet kompetente për dhënien e masave administrative sipas aktit normativ nr. 3, datë 15.3.2020 ‘Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së shkaktuar nga COVID-19’, i ndryshuar”.

Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese GJK Komiteti teknik kishte një javë kohë për rishikuar kohëzgjatjen e kufizimeve.