Ministrja e Jashtme e Gjermanisë Annalena Baerbock deklaroi se negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duhet të hapen në gjysmën e parë të këtij viti.

Ajo shtoi se Serbia nëse dëshiron të bëhet anëtare e BE-së, duhet të përafrohet me sanksionet ndaj Rusisë.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të mos zhgënjejmë jo vetëm Ukrainën, por edhe vendet që kanë parë prej kohësh të ardhmen e tyre në Bashkimin Evropian dhe të mbajmë premtimin tonë për anëtarësim në BE. Kjo do të thotë vendet e Ballkanit Perëndimor, para së gjithash, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Është përgjegjësia jonë që përfundimisht të hapim negociatat e anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në gjysmën e parë të këtij viti. Ky është një hap i vonuar”, tha ministri i Jashtëm.

Ajo shtoi se ka zhvilluar një bisedë dypalëshe me ministrin e Jashtëm bullgar dhe ka shprehur shpresën se pikat e pazgjidhura mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut mund të zgjidhen.

“Kjo vlen edhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor që në këto ditë dhe javë e kanë bërë të qartë se të ardhmen dhe sigurinë e tyre e shohin në Bashkimin Evropian. Prandaj, shumica e tyre janë rreshtuar me sanksionet e BE-së”, tha Baerbock.

Ajo theksoi qëndrimin e saj lidhur me Serbinë, duke thënë se duhet patjetër të mbështesin poltikën e jashtme të BE-së dhe sanksionet e saj, duke iu referuar në këtë pikë agresionit rus në Ukrainë.

“Nëse doni të bëheni anëtare e BE-së, dhe kjo është ajo që dëshiron Serbia, është një çështje qendrore të mbështesim politikën e jashtme të BE-së dhe sanksionet përkatëse në ato momente”, përfundoi Baerbock.

Këshilli i Punëve të Jashtme, i kryesuar nga Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell, u mblodh dje për të diskutuar mbi agresionin rus kundër Ukrainës.

Sipas deklaratës për shtyp, ministrat kanë folur edhe për Ballkanin Perëndimor në kuadër të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit me BE-në.

Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me kancelarin gjerman Olaf Scholz me të cilin diskutuan rëndësinë e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare dhe anëtarësimin e saj në BE.

Artikulli paraprakTONIGHT – 12.04.2022
Artikulli tjetërSHKODËR, MASSAFRA TAKIM ME KRYEBASHKIAKUN SPAHIA