Spanja ka regjistruar dje dhe sot temperatura historike, pasi termometri zbriti deri në -25,4 gradë Celsius duke vështirësuar kështu pastrimin e rrugëve nga dëbora, veçanërisht në kryeqytetin Madrid, ku shumë rrugë mbeten të bllokuara.

Një pjesë e madhe e qendrës dhe lindjes së vendit vazhdon të jetë e mbuluar nga dëbora pas kalimit të një stuhie të pazakontë.

E quajtur filomena, kjo e fundit ka shkaktuar shira të fortë në Spanjë ku si pasojë kanë humbur jetën tre persona.

Ndërkohë që një pjesë e madhe e vendit është goditur tani nga një valë e të ftohtit, dy persona të pastrehë u gjetën të vdekur të hënën në mbrëmje në Barcelonë, ​​sipas autoriteteve lokale. Trupat treguan shenja të hipotermisë.

“Në Spanjën qendrore dhe lindore, termometri u ul në -25,4 gradë Celsius në një fshat në rajonin e Aragonës, në verilindje të Madridit”, tha agjencia e motit AEMET, duke i cilësuar si temperatura “historike”.

“Me -10,8 ° C, Madridi shënoi temperaturën e tij më të ulët në gjysmë shekull dhe në aeroportin e tij Barajas u shënua një temperaturë prej -13,2 ° C”, njoftoi AEMET.

Në kryeqytet, tre ditë pas reshjeve historike të dëborës, mungesa e pastrueseve të dëborës dhe qeseve të kripës vazhdon të ndjehet.

Rrugët kryesore u pastruan dhe disa linja autobusi rifilluan shërbimin sot në mëngjes, por shumë rrugë anësore mbetën të mbuluara nga dëbora.

Sidoqoftë, metroja ka funksionuar 24 orë në ditë që nga kjo fundjavë.