Interi ka zhvilluar miqësoren e radhës mbrëmjen e sotme në stadiumin “Tardini” të Parmës ku është ndeshur me spanjollët e Atlethic Bilbaos, që janë kualifikuar në fazën playoff të Europa League në mesjavë. Trajneri Mancini i ka besuar të riut Gnoukouri në mesfushë, në krah të Gary Medel dhe Fredy Guarin.

Ka qëndruar pushim Kondogbia, në lojë nga minuta e parë ka qenë edhe Kovacic në mbrështetje të Icardit dhe Stevan Jovetic. Ka qenë pikërisht ky i fundit që ka zhbllokuar rezultatin në favor të zikaltërve në minutën e 27-të, pas një aksioni të bukur të ndërtuar në krahun e djathtë nga Juan Jesus dhe Gnoukouri. Rezultat që ka mbetur i pandryshuar deri në fundin e 45 minutave të para. Në pjesën e dytë, në minutën e 68-të, ka bërë debutimin e tij me fanellën zikaltër talenti shqiptar Manaj. Në minutën e 74-t, sulmuesi shqiptar ka pasur mundësinë të realizojë, por goditja e tij është ndalur nga mbrojtja kundërshtare. Dhjetë minuta më pas ka qenë Icardi që ka çuar shifrat në 2-0 në rastin e parë të pastër që i është krijuar. Argjentinasi ka bërë një zhytje të bukur pas kromimit të Nagatomos, duke mundur portierin Iraizoz dhe duke siguruar fitoren e zikaltërve.