
KF Vllaznia ka festuar 106-vjetorin e krijimit të tij përmes një aktiviteti të organizuar në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër në stadiumin “Loro Boriçi”. Një gjë e tillë u shoqërua me një ndeshje futbolli në mes ekipit të veteranëve të Vllaznisë, si edhe ekipit të administratës së Bashkisë. Përpara zhvillimit të kësaj ndeshje u organizua edhe një ceremoni për të nderuar katër prej veteranëve të futbollit shkodran, të cilët kanë dhënë në vite kontributin e tyre për ngjyrat kuqeblu. Presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi, së bashku me kryebashkiakun Benet Beci, i dorëzuan titullin “Mirënjohje” për kontributin e dhënë për skuadrën shkodrane ish-futbollistëve Ahmet Meta, Viktor Plumbini, Isa Sukaj dhe Selman Gruda.
Ndërkohë, presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi në fjalët e tij tha se shpreson shumë që 106-vjetori i klubit kuqeblu të festohet me një titull kampion këtë sezon.
Ndërkohë, edhe ish-futbollisti Auron Miloti dhe kapiteni i Vllaznisë, Bekim Balaj shprehën emocionet e tyre për 106-vjetorin e klubit, por edhe për ndeshjen e luajtur mes veteranëve dhe Bashkisë Shkodër.
Ndeshja mes veteranëve të Vllaznisë dhe Bashkisë Shkodër u fitua nga ish-futbollistët kuqeblu me rezultatin 8-4.