
Vllaznia ka pësuar një humbje me rezultatin 2-1 ndaj Otrant Olympic të Ulqinit në ndeshjen miqësore të zhvilluar pasditen e së shtunës në stadiumin “Olympic” në Ulqin. Takimi u luajt në praninë e një numri të madh tifozësh vendas, por edhe të shumë mbështetësve kuqeblu që udhëtuan nga Shkodra për të ndjekur skuadrën e tyre.
Trajneri Edi Martini e nisi sfidën me një formacion të përbërë kryesisht nga futbollistë të afruar gjatë merkatos verore, me objektivin për t’i testuar në kushte loje. Formacioni fillestar i Vllaznisë ishte: Jukaj, Pusi, Latifi, Dumfour, Sokol Uldedaj, Bardhi, Marku, Qato, Kobiljar, Perez dhe Zouhoule. Në 45 minutat e para Otranti kaloi në avantazh, ndërsa në pjesën e dytë u aktivizuan edhe futbollistë të tjerë titullarë. Pikërisht, në këtë fraksion loje, Vllaznia reagoi dhe barazoi me Edon Muratajn, i cili do të ishte autori i golit të vetëm për kuqeblutë në këtë miqësore. Kur gjithçka të linte të kuptohej se sfida do të mbyllej në barazim, një gabim i portierit Bunjaj në minutat e fundit u dha mundësinë vendasve të shënonin golin e fitores, duke e mbyllur gjithçka me rezultatin 2-1.
Kjo ishte miqësorja e parë e Vllaznisë pas eliminimit nga UEFA Conference League. Deri në nisjen e kampionatit, skuadra shkodrane pritet të zhvillojë edhe disa ndeshje të tjera testuese, ndërsa prova e radhës është planifikuar të jetë ndaj Laçit, të mërkurën e ardhshme.






