Me 23 vota pro, 1 kundër dhe 11 abstenime, Këshilli Bashkiak i Shkodrës i dha dritën jeshile 6 përfituesve të parë nga Paketa e Maleve në zonën e Thethit.
Në projektvendimin e paraqitur para këshilltarëve, drejtori i Planifikimit Urban në Bashkinë Shkodër, Mikel Kopsaj, u shpreh se me këtë vendim u jepet mundësia banorëve të përdorin tokat e trashëguara brez pas brezi nga të parët e tyre.
Por ky projektvendim, i pari i këtij lloji, nuk kaloi pa debate. Këshilltarët e opozitës deklaruan se nuk janë kundër paketës, por kërkuan më shumë transparencë në dokumentacionin dhe procesin që po ndiqet.
Nga ana tjetër, mazhoranca e cilësoi këtë projektvendim si një hap konkret në ndihmë të banorëve të zonave që përfitojnë nga Paketa e Maleve.
Nënkryetari i Bashkisë Shkodër, Alban Preka, gjatë diskutimeve në këshill, theksoi se kjo është faza e dytë e një procesi që nuk mbyllet në këshill, por do të kalojë edhe në instancat e tjera të qeverisë.
Alban Preka
Janë mbi 200 aplikime për Paketën e Maleve në Bashkinë Shkodër, një proces që ka nisur prej disa muajsh dhe që do të vijojë me shqyrtimin e aplikimeve të tjera. Njësia Administrative Shalë, me fshatrat Theth dhe Ndërlysaj, si dhe Njësia Guri i Zi, me fshatrat Rragam dhe Sheldi, janë zonat me potencial zhvillimi të miratuara nga qeveria shqiptare në kuadër të Paketës së Alpeve për Bashkinë Shkodër.

Artikulli paraprakHISTORIA, NËN ÇATINË QË PO SHEMBET
Artikulli tjetër“HAMDI BUSHATI” ORGANIZON DITËN E DYERVE TË HAPURA