
Me 30 vota pro, 12 kundër dhe 1 abstenim, Këshilli Bashkiak i Shkodrës ka miratuar buxhetin e Bashkisë Shkodër për vitin 2026, me një vlerë prej 3.4 miliardë lekësh.
Seanca, e cila zgjati rreth katër orë, u shoqërua me prezantime dhe debate mes këshilltarëve bashkiakë lidhur me projektbuxhetin.
Në fjalën e tij para këshilltarëve, kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, theksoi se ky buxhet i garanton qytetit vazhdimësinë e investimeve dhe shërbimeve publike. Ai u ndal te bashkëpunimi me donatorët e huaj, si edhe te investimi që pritet të nisë këtë vit për ndërtimin e banesave për të pastrehët, me një fond prej 1.6 milionë euro nga buxheti i bashkisë.
Miratimi i buxhetit u shoqërua edhe me kritika nga përfaqësuesit e krahut të djathtë, të cilët ngritën akuza mbi mënyrën e hartimit dhe shpërndarjes së fondeve.
Para votimit, kryebashkiaku Beci u bëri thirrje të gjithë këshilltarëve që ta mbështesin këtë dokument të rëndësishëm për qytetin, duke përcjellë një mesazh bashkëpunimi dhe duke shmangur përplasjet politike që, sipas tij, dëmtojnë interesin e Shkodrës.
Në shifra, buxheti i Bashkisë Shkodër për vitin 2026 rezulton 15% më i lartë krahasuar me një vit më parë, ndërsa investimet e planifikuara janë rreth 80% më të mëdha se ato të vitit 2025.
Sipas dokumentit të miratuar, prioritet mbeten infrastruktura, investimet qeveritare, bashkëpunimi me donatorët e huaj dhe mbështetja për shtresat sociale. Sa i përket sportit, për vitin 2026 është parashikuar rikonstruksioni i plotë i Pallatit të Sportit “Qazim Dervishi”, një ndërhyrje e konsideruar e domosdoshme nga komuniteti sportiv i Shkodrës.


