Porti 5 miliardë USD në Kavajë. Miratohet fondi për projektin

Në mbledhjen e radhës së qeverisë është miratuar një rishpërndarje fondesh në Ministrinë e Ekonomisë duke hequr 40 milionë lekë nga programi për mbështetjen për zhvillimin ekonomik dhe zhvillimin e turizmit për t’i kaluar në programin “Planifikim, menaxhim, administrim”. Nga fondi, 14 milionë lekë janë vendosur për shpenzime korrente, ndërsa 26 milionë lekë janë vendosur në dispozicion të konsulentëve të huaj që të përdoren për mbulimin e shpenzimeve që do të bëjnë studimin dhe vlerësimin ligjor e financiar për projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e portit të Karpenit, zonës mbështetëse të portit dhe asaj ekonomike. Ligji që i jep autorizon tre ministri të negociojnë kontratën e portit gjigant të Kavajës u miratua vetëm nga shumica, pasi opozita e kundërshtoi. Skepticizmi i opozitës lidhet me garancitë financiare të kompanive që do ndërtojnë projektin 5 miliardë dollarësh, pasi sipas tyre vetë kompania aplikuese ka një kapital prej 100 stërlinash. Por sipas qeverisë ndërtimi i portit të ri do të hapë 70 mijë vende pune. Projekti synon që, duke ndërtuar një port të ri, modern, të thellë, të shoqëruar me një park ekonomik, do të bëhet i domosdoshëm për shumë nga vendet evropiane të Mesdheut dhe për zhvillimin e ardhshëm të shumë vendeve të Ballkanit dhe të Evropës Qendrore dhe Lindore pa dalje në det, duke arritur kështu edhe një transit më ekonomik të mallrave. Investimi Kanë qenë Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës dhe Ministria e Energjisë dhe Industrisë, duke vlerësuar rëndësinë e këtij projekti, që kanë marrë iniciativën e përcaktimit të një procedure të veçantë, me qëllim mundësimin e realizimit në një kohë të shpejtë dhe në mënyrë efiçente të një kontrate me subjektin në fjalë. Dikasteret, nga një vlerësim paraprak i projektit “Morgan”, të paraqitur nga aleanca e kompanive të njohura në fushën e projektimit, ndërtimit dhe operimit të porteve strategjike në botë, të përfaqësuara nga subjekti për qëllime të veçanta “Star Bridge Port Developments Limited”, sugjerojnë se propozimi i sjellë përbën një investim strategjik, i pari i këtyre përmasave në Shqipëri dhe një mundësi unike zhvillimi, si për zonën ku është menduar të realizohet, edhe për të gjithë rajonin e Ballkanit. Projekti “Morgan” parashikon ndërtimin e një porti me thellësi të madhe në zonën e Karpen, Kavajë, të ambienteve mbështetëse të portit, të shoqëruar me një zonë të lirë tregtare, si dhe ndërtimin e një terminali rigazifikimi të gazit natyror të lëngshëm (LNG) dhe një centrali për prodhim energjie, përkatësisht: Projekti “Deep Ëater Port” – Porti detar me thellësi të madhe dhe Projekti “Port Centric Logistics and Enterprise Zone” – Zona ekonomike. Ky projekt përfaqëson një investim në total prej 5 miliardë USD-sh për një periudhë 5-10 vjet. Porti parashikon hyrjen e anijeve të mëdha tregtare, që kanë nevojë për thellësi prej 20 m. Për realizimin e qëllimit të këtij porti, është e domosdoshme të ndërtohen edhe zona ekonomike, e cila në përfundim të projektit është parashikuar të këtë një shtrirje prej 1700 hektarësh. Zona e portit parashikohet të përbëhet nga ambientet mbështetëse të portit (magazina, terminale, qendër logjistike), nga një zonë e re banimi pranë kompleksit, një serë me teknologji te lartë dhe akademi sporti. Gjithashtu, parashikohet ndërtimi edhe i një terminali rigazifikimi LNG dhe një centrali për prodhim energjie (central energjie me gaz ose biomase). Porti Sipas qeverisë, asnjë port në detin Mesdhe nuk i ka mundësitë për të pritur në mol anijet e gjeneratës së fundit post-Panamax, të cilat janë anijet kargo që përdoren sot nga industria moderne e transportit detar. Disa porte i presin këto anije në ankorazhe me bova larg dokut, por kjo gjë krijon problematika logjistike dhe operacionale që rezultojnë në inefiçenca gjatë proceseve të ngarkimit dhe shkarkimit. Karpeni është zgjedhur pasi Porti i Durrësit nuk i ka kapacitetet dhe nuk ka mundësi zgjerimi për kargo. Zhvillimi i një porti të ri pranë Durrësit preferohet pasi shumica e investimeve të huaja ndodhen afër zonës Tiranë/Durrës dhe një port ekzistues në Durrës nevojitet për elementet mbështetëse që ai ofron, si krahu i punës, shoqëritë e transportit, agjentët e anijeve etj., të cilët janë tashmë të atashuar në atë zonë. Për më tepër, Karpeni është i lidhur me rrugët kryesore (SH4) – që i shërben Durrësit, por edhe Fierit, ku ndodhet dhe stacioni terminal i TAP-it. Rafineria e naftës në Ballsh dhe burime të tjera të gazit që ndodhen aty pranë, janë një tjetër avantazh i kësaj zone. Ky projektpropozim është në përputhje edhe me kontrata të tjera koncesionare që ka lidhur qeveria shqiptare, pasi Karpeni shtrihet në një zonë jashtë gjirit të Durrësit. Projekti synon që, duke ndërtuar një port të ri, modern, të thellë, të shoqëruar me një park ekonomik, do të bëhet i domosdoshëm për shumë nga vendet evropiane të Mesdheut dhe për zhvillimin e ardhshëm të shumë vendeve të Ballkanit dhe të Evropës Qendrore dhe Lindore pa dalje në det, duke arritur kështu edhe një transit më ekonomik të mallrave. Projektligji shoqërohet me një plan të zhvillimit të projektit, i cili propozohet të ndërtohet sipas fazave të mëposhtme: Ndërtimi do të fillojë ndërmjet muajit të 12-16. Faza e ndërtimit do të marrë 5-6 vjet, por porti do të bëhet operacional brenda kësaj periudhe. Ligji ka të parashikuar edhe ndërtimin e një zone ekonomike. Kjo zonë do të përmbajë ambiente mbështetëse të portit (magazina, terminal etj.), si dhe një zonë industriale, tregtare dhe një zonë rezidenciale pranë kompleksit.