
Me nisjen e vitit të ri shkollor, Ministria e Arsimit dhe Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit kanë miratuar një udhëzim të përbashkët që përcakton masat kryesore për mbarëvajtjen e vitit shkollor 2025–2026 në sistemin arsimor parauniversitar.
Udhëzimi, i botuar në Fletoren Zyrtare, përfshin një sërë detyrimesh që lidhen me regjistrimin e nxënësve, shpërndarjen e teksteve shkollore, ndalimin e përdorimit të celularëve në shkolla, si dhe parandalimin e dhunës dhe bullizmit në institucionet arsimore.
Fillimisht në udhëzim përcaktohet se regjistrimet e nxënësve në Institucionet Arsimore Parauniversitare (IAP) të bëhen në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi që përcakton moshën dhe dokumentacionin e nevojshëm.
Për shpërndarjen e testeve shkollore udhëzimi përcakton se drejtoritë e IAP-ve duhet të afishojnë në vend të dukshëm listën e teksteve shkollore, ku të shënohen titulli, shtëpia botuese, çmimi i tekstit për çdo klasë, vendi ku do të shpërndahen tekstet, si dhe periudha e shpërndarjes sipas një grafiku për çdo klasë.
Po ashtu kërkohet që prej institucioneve arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar dhe institucionet arsimore parauniversitare të marrin masa për zbatimin e legjislacionit në fuqi për ndalimin e përdorimit të telefonit celular në mjediset e institucioneve arsimore parauniversitare.
Prioritet mbetet edhe masat kundër dhunës dhe bullizimit, ku u është kërkuar ZVAP-ve dhe drejtoritë e shkollave të zbatojnë me prioritet Planin Kombëtar të Veprimit “Për fuqizimin e mekanizmave të parandalimit të çdo forme dhune e bullizimi dhe rritjen e sigurisë në institucionet arsimore parauniversitare”, miratuar me urdhrin nr. 32, datë 21.1.2025.
Gjithashtu, theksohet nevoja për monitorimin e komisioneve të etikës dhe disiplinës, si dhe organizimi i veprimtarive sensibilizuese më 21 nëntor, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare kundër Dhunës në Shkollë






