Rreth 70 punonjës të minierës së bakrit në Spaç të Mirditës janë ngritur në protestë prej tre ditësh, duke bojkotuar punën në shenjë pakënaqësie për kushtet e punës dhe pagat minimale. Minatorët i kanë paraqitur një sërë kërkesash kompanisë koncesionare turke “Tete Albania”, por negociatat mes palëve kanë dështuar, duke thelluar tensionet në vendin e punës.Një nga kërkesat kryesore të minatorëve është njohja e sindikatës së krijuar në muajin gusht dhe nënshkrimi i një kontrate kolektive, që sipas tyre do të garantonte të drejtat dhe sigurinë në punë. Ata pretendojnë se kompania jo vetëm ka refuzuar dialogun, por ka ndërmarrë edhe masa ndëshkuese ndaj organizatorëve të protestës.
Në mbështetje të protestës janë bashkuar edhe përfaqësues të Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, të cilët kanë paralajmëruar nisjen e një greve urie pa afat nëse kërkesat e minatorëve nuk merren ne konsiderate.
Minatorët i kanë kërkuar ndërhyrje edhe Agjencisë Kombëtare të Punësimit, e cila ka ndërmjetësuar një takim mes palëve, por pa rezultat konkret. Ndërkohë, kompania “Tete Albania”, e kontaktuar për këtë çështje, i ka cilësuar kërkesat e minatorëve si “antiligjore”, duke mohuar akuzat dhe pretendimet e ngritura ndaj saj.

Artikulli paraprakBESËLIDHJA TRIUMFON 3–0 NDAJ KASTRIOTIT NË MIQËSOREN E ZHVILLUAR NË LEZHË
Artikulli tjetërPËRUROHET NË BARDHAJ QENDRA KULTURORE