Provat do të përfshijnë gjithsej 600 të rritur, gjysma e të cilëve kanë marrë dy doza të vaksinës së kompanisë Moderna kundër COVID-19 të paktën gjashtë muaj më parë, dhe gjysma tjetër që ka marrë tre doza të vaksinës.

Prandaj, doza përforcuese e krijuar posaçërisht për variantin Omicron do të vlerësohet për përdorim si një dozë e tretë dhe e katërt.

Kompania raportoi gjithashtu rezultatet mbi efikasitetin kundër variantit Omicron të dozës përforcuese tashmë në përdorim.

Kompania tha se gjashtë muaj pas injektimit me dozën përforcuese, niveli i antitrupave neutralizues kundër Omicron-it u zvogëluan me nivel 600 për qind krahasuar me nivelin e vërejtur 29 ditë pas vaksinimit, por mbeti i diktueshëm tek të gjithë pjesëmarrësit në studim.

Këto të dhëna janë marrë nga studimi i gjakut të 20 personave që kishin marrë dozën përforcuese prej 50 mikrogramësh, sa gjysma e sasisë së dy dozave të para.

“Ne jemi të inkurajuar nga qëndrueshmëria e antitrupave kundër Omicron-it gjashtë muaj pas marrjes së dozës përforcuese të vaksinës kundër COVID-19”, tha përmes një deklarate, Stephane Bancel, shef ekzekutiv i kompanisë Moderna.

“Megjithatë, duke patur parasysh kërcënimin afatgjatë të demonstruar nga Omicroni përmes shmangies së imunitetit (e krijuar nga dozat e mëparshme të vaksinës), ne po vazhdojmë me fazën e dytë të provave klinike për vaksinën kundër këtij varianti ngjitës të COVID-19”, shtoi zoti Bancel.

Deklarata e kompanisë Moderna erdhi një ditë pasi rivalët Pfizer dhe BioNTech thanë se kishin filluar regjistrimin e pjesëmarrësve për një provë klinike me një vaksinë specifike kundër variantit Omicron.

Të dyja vaksinat bazohen në teknologjinë RNA, duke e bërë relativisht të lehtë modifikimin e tyre, duke krijuar mundësinë për të mbajtur hapin me mutacionet specifike të varianteve të reja të COVID-19.

Disa vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, kanë filluar të shohin një rënie të rasteve të lidhura me valën e infeksioneve të shkaktuara nga Omicron, varianti më i transmetueshëm i zbuluar deri më tani, por numri i infeksioneve në mbarë botën vazhdon të rritet./VOA