SHEFJA PËR POLITIKË TË JASHTME DEKLARON SE REFORMAT JANË TË DOMOSDOSHME. Shefja për Politikë të Jashtme dhe Siguri në BE, Federica Mogherini ka inkurajuar Kosovën dhe Serbinë që të vazhdojnë dialogun, si mënyrë të vetme për rrugën e integrimit në BE.

Ajo gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Isa Mustafa nuk ka dashur të komentoj nëse Serbia do ta ketë kusht njohjen e Kosovës para anëtarësimit të saj në BE, por ka thënë se çështjet politike do të negociohen në fund.Gjatë vizitës së parë zyrtare në Prishtinë, si përfaqësuese e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Mogherini tha se ky vit është vendimtar në përmbushjen e kritereve për vazhdimin e rrugës në integrimin e Kosovës në BE.Ajo ka thënë se Kosova si shteti me përqindjen më të lartë të popullatës së re në Evropë, e ka të domosdoshme zhvillimin ekonomik dhe lëvizjen e lirë. Mirëpo, sipas saj, duhet që vet autoritetet e Kosovës të jenë të përgjegjshme për plotësimin e kushteve për përgatitjen e raportit, i cili përcakton, nëse Kosova ka plotësuar kushtet për liberalizim të vizave. Mogherini nuk deshi që të spekulojë se çfarë mund të ndodhë nëse Kuvendi i Kosovës nuk miraton me 2/3 e votave për themelimin e Gjykatës Speciale. Ajo tha se zotimi i vitit të kaluar për këtë çështje, duhet të vazhdojë edhe tash. Ndërkaq, kryeministri Isa Mustafa tha se e ka njoftuar Moghernin për programin qeverisës si dhe për orientimin e autoriteteve të Kosovës për rrugën e saj euro-atlantike. Mustafa tha se kërkon që BE-ja të jetë më pranishme  në vend. Gjithashtu ai ka kërkuar që punësimi sezonal të mundësohet për kosovarët, pasi që kjo, sipas tij, është e nevojshme deri sa të arrihet një stabilitet i brendshëm ekonomik.

Artikulli paraprakWILTON: GJAKMARRJA TË TRAJTOHET SI KRIM
Artikulli tjetërMATURA SHTETËRORE, DALIN DATAT E PROVIMEVE