Star Plus ka siguruar pamjet e mometit kur u godit kreu I Aku Shkodër Ramir Haderi me sende të forta teksa po shkonte drejt banesës së tij.
Nga pamjet e siguruara, autori shihet i fshehur pas një muri, ndërsa dyshohet se kishte dijeni për lëvizjet e Haderit. Sapo kreu i AKU-së afrohet në zonë, agresori del me shpejtësi dhe e godet disa herë në kokë dhe në trup me një send të fortë, duke e rrëzuar në tokë. Pas sulmit, autori largohet me vrap në rrugicat e lagjes.
Ngjarja ndodhi rreth orës 21:30, ndërsa Haderi u paraqit më pas në Spitalin Rajonal të Shkodrës për ndihmë mjekësore. Burime mjekësore bëjnë me dije se ai ka marrë dëmtime në pjesën e kokës dhe trupit, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në dëshminë e dhënë para grupit hetimor, Haderi ka deklaruar se nuk ka mundur të identifikojë autorin, pasi në momentin e sulmit ishte duke folur në telefon.
Drejtori i AKU-së ka mohuar të ketë konflikte personale, ndërsa është shprehur se nuk ka dijeni për motivet e sulmit.
Menjëherë pas ngjarjes, policia e Shkodrës nisi hetimet dhe sekuestroi kamerat e sigurisë në zonë, të cilat pritet të ndihmojnë në identifikimin e autorit. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave, ndërsa po verifikohen të gjitha pistat e mundshme.
Burime pranë hetuesve bëjnë me dije se një nga pistat kryesore lidhet me detyrën e Haderit në krye të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në Shkodër, institucion që ushtron kontrolle dhe inspektime ndaj subjekteve tregtare për sigurinë ushqimore. Megjithatë, deri tani nuk ka persona të identifikuar apo të shoqëruar në lidhje me sulmin.

Artikulli paraprakAKSIDENT FATAL NË LEZHË, HUMB JETËN 36-VJEÇARI
Artikulli tjetërDEMOKRATËT VOTOJNË PRO OSE KUNDËR SALI BERISHËS