Kreu i PD, Lulzim Basha është takuar këtë të shtunë me demokratët. Në fjalën e tij Basha deklaroi se detyrë parësore është që të krijojë hapësirën për ndryshim , në mënyrë që rinia të ketë hapësirën e saj. I ndalur tek masakra zgjedhore, Basha gjithashtu theksoi se në momentin që rinia do të marrë në dorë Shqipërinë do të ketë një tjetër Shqipëri.

‘Rinia i dha fund diktaturës, rinia do t’i japi fund tranzicionit. Tani unë e di që Forumi Rinor i Partisë Demokratike ka një histori të gjatë, me shumë kapituj të lavdishëm përballjeje me të keqen, përballje me diktaturën, përballje me regjimet. Por ka dhe kapituj jo fortë të lavdishëm, të mbylljes, të tkurrjes, të krijimit brenda vetes të një sistemi jo të vlerave, po prapë të patronazhit. Ku nuk ecje përpara për atë që përfaqësoje, që ishe gati të jepje, po se kë njihje e se besniku i kujt ishe. E pra, që t’i japim fund tranzicionit, duhet në radhë të parë ju të jepni shembullin. Ju duhet të jepni atë shembull, që t’iu ndjekin prindërit tuaj, sepse ju keni avantazhin keni mendësinë e re dhe pastaj do t’iu ndjekin prindërit do t’iu ndjek e gjithë Shqipëria. Të jepni shembullin, duke filluar me mënyrën se silleni ndaj politikës, kurrë mos jeni besnik të një njeriu, të një politikani. Kurrë mos jeni skllevër të një njeriu të kultit të individit, mos jeni shërbëtor të askujt, jeni shërbëtor të vetes tuaj, të familjeve tuaja dhe të Shqipërisë dhe ky mendoj se është një hap dhe final drejt fundit të tranzicionit. Dhe që të ndodh kjo, duhet ta thoni mendimin tuaj siç ju vjen, pa filtra, mos kini frikë se gaboni. Gaboni ku nuk flisni, gaboni ku nuk veproni, gaboni ku nuk bashkoheni, po kurrë nuk gaboni kur veproni. Siç vepruat para dy vitesh, para tre vitesh me protestat e studentëve. E shkundët Shqipërinë, e shkundët klasën politike, i shkundët dinozaurët e tranzicionit, i treguat që ky vend ka një shpresë dhe shpresa e ka emrin rini. Dhe brenda kësaj, sigurisht detyra ime si kryetar i Partisë Demokratike, është që jo vetëm t’i krijojë hapësirën maksimale rinisë për ndryshim, por të bëjë të mundur që rinia t’i prij ndryshimit.

J’ua kam thënë para 25 prillit dhe në të gjitha takimet që kemi bërë së bashku që nuk kam detyrë më të rëndësishme, nuk konsideroj mision më të rëndësishëm se sa t’i hap rrugën rinisë, sepse duke e parë rininë shqiptare siç e kam parë nga Saranda në Tropojë, nga Shkodra në Gjirokastër, nga Korça në Durrës e di që në momentin që rinia do ta marrë në dorë Shqipërinë do të jetë një Shqipëri tjetër.’, tha Basha.