Prej mbrëmjes së kaluar vendi është përfshirë nga një valë e të ftohtit me temperatura të ulëta, ku nuk kanë munguar as reshjet e dëborës.

Në disa zona malore ka pasur edhe problematika në qarkullimin e mjeteve, ndërsa ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi thotë se po punohet për zhbllokimin e tyre. Ndërsa sa i takon prurjes së lumenjëve, Peleshi thotë se ato janë brenda shtretërve të tyre.

“Intensiteti i lartë i reshjeve të rëna gjatë orëve të fundit ka shtuar problematikat në disa zona të vendit. Strukturat e pushtetit vendor po punojnë për të zhbllokuar akset Bogë-Qafë Thorë nga bora, ndërsa në Gjirokastër puna vijon në rrugën e Zhlatit dhe në Lazarat. Aktualisht prurjet e lumenjve janë brenda shtretërve të tyre, niveli i Vjosës në Përmet ka filluar të bjerë. Forcat e Armatosura të Shqipërisë janë në gatishmëri për çdo nevojë nga ana e strukturave të pushtetit vendor“, shkruan Peleshi.