
Gjatë 24 orëve të fundit, territori i Qarkut Lezhë është përfshirë nga reshje shiu me intensitet të dobët. Sipas të dhënave zyrtare, kanë rënë rreth 23.4 mm reshje, ndërsa në zonat malore mbi 700 metra mbi nivelin e detit janë regjistruar edhe reshje dëbore.Në Bashkinë Kurbin, harta e përmbytjeve është zvogëluar ndjeshëm, ndërsa problematika kryesore vijon të mbetet zona e Adriatikut. Prani uji raportohet vetëm në pak banesa në fshatin Gjorëm dhe në disa banesa përgjatë rrugës Sanxhak–Autostradë. Autoritetet kanë ndërhyrë me bllokim të pjesshëm të hapësirës së urës së Adriatikut, me qëllim minimizimin e prurjeve të ujit, si pasojë e sasisë së madhe të ujit të ardhur nga çarja e argjinaturës në krahun e Durrësit.Ndërkohë ka nisur rehabilitimi i shtratit të lumit Skuraj dhe forcimi i trasës së rrugës. Gjatë ditës së sotme pritet të nisë sjellja e materialeve mbushëse për këmbët e urës në Gallatë, për të mundësuar kalimin e mjeteve të rënda dhe zhbllokimin e dherave në aksin Gallatë–Vinjollë.Po ashtu do të rifillojë hedhja e çakullit në disa rrugica të brendshme të fshatit Adriatik, ndërsa problematikë vijojnë të mbeten rrëshqitjet e tokës dhe dherave. Raportohet rritje e nivelit të lumit Mat, pasi nga HEC Shkopet po shkarkohen rreth 700 metra kub ujë në sekondë.Në Bashkinë Lezhë situata paraqitet e qetë. Në lagjen “Besëlidhja” është ndërhyrë për largimin e ujit nga kati i nëndheshëm i një pallati, ku niveli i ujit kishte kaluar mbi 3 metra. Në terren vijon procesi i vlerësimit të dëmeve në banesa, toka të mbjella dhe rrugë. Mjetet e Drejtorisë së Bujqësisë janë vënë në dispozicion për pastrimin e kanaleve të kullimit, ndërsa Drejtoria e Shërbimeve dhe shërbimi zjarrfikës vijojnë ndihmën për banorët në nevojë.Nga OSHEE raportohet për probleme në furnizimin me energji elektrike në zonën e Dajçit, si dhe në hidrovorin e Gocajve, çka ka shkaktuar përmbytje të tokave bujqësore në zonën Gocaj–Kakarriq.Në Bashkinë Mirditë vijon ndërhyrja për sistemimin e rrugëve të dëmtuara, me angazhimin e mjeteve të rënda dhe 10 forcave punëtore. Aktualisht pa energji elektrike mbetet njësia administrative Fan, ndërsa grupet e punës ndodhen në terren për riparimin e defekteve.






