
Moti i keq me reshje të dendura shiu, që ka përfshirë rajonin e Lezhës që prej mbrëmjes së të enjtes, ka krijuar probleme me furnizimin me energji elektrike, kryesisht në fshatra.
Sipas të dhënave, dëmtimi i linjave ka sjellë mungesë energjie në fshatrat e Njësive Administrative Kallmet, Blinisht, Dajç dhe në disa zona të tjera të bregut të Matit.
Kjo situatë është krijuar që prej mesnatës së kaluar, ndërsa punonjësit e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ndodhen në terren dhe po punojnë për identifikimin dhe riparimin e defekteve të shkaktuara, me qëllim rikthimin sa më parë të energjisë në zonat ku janë krijuar probleme.Ndërprerjet e energjisë elektrike janë kthyer në një refren të vazhdueshëm në shumë zona të Lezhës, për shkak të rrjetit të amortizuar, i cili është në rrezik serioz edhe për jetën e qytetarëve dhe vetë punonjësve të OSHEE-së.Paraditen e së enjtes, një elektricist humbi jetën në shtyllë, pasi ra në kontakt me energjinë në tentativë për të riparuar një defekt në zonën e Rrilës.






