Reshjet e shiut dhe moti i përkeqësuar kanë shkaktuar edhe aksidente në Shkodër.

Kështu gjatë paradites të së martës janë dy aksidente. I pari ka ndodhur në aksin Shkodër-Tiranë teksa në afërsi të fshatit Ashtë një mjet motorik ka dalë nga rruga pasi ka humbur kontrollin. Nga sa mësohet brenda këtij mjeti ndodheshin dy femra të cilat nga sa bëhet e ditur janë jashtë rrezikut për jetën pasi kanë marrë mjekimin në spitalin rajonal të Shkodrës. Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë për të bërë të mundur zbardhjen e shkaqeve të këtij aksidenti. Po ashtu një tjetër aksident ka ndodhur në fshatin Mjedë. Një makinë ka dalë nga rruga pas humbjes së kontrollit. Sërish burime policore bëjnë me dije se shkak është bërë moti i keq nga reshjet e shiut dhe prania e lagështirës në rrugë. Brenda makinës ndodheshin 4 persona të cilët kanë marrë plagë në trup por duke qenë jashtë rrezikut për jetën. Duke parë situatën e përkeqësuar nga kushtet atmosferike këshillohet nga forcat e policisë që shoferët të bëjnë kujdes gjatë lëvizjeve si dhe t’i kufizojnë sa më shumë apo edhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor për të shmangur kështu më aksidentet që mund të rezultojnë edhe tragjike.