Veriu i Britanisë po përballet me një mot të keq, ndërsa pjesa tjetër e vendit përjetoi atë që u cilësua si dita më e ngrohtë e shtatorit që nga viti 1911. Dy “fytyrat” e motit kanë habitur të gjithë.
Në Manchester, reshjet e shiut detyruan UEFA-n që të shtyjë për një ditë më pas sfidën e Ligës së Kampionëve ndërmjet Manchester City e Borussia Monchengladbach të planifikuar për t’u luajtur të martën. Në rrjetet sociale u publikuan edhe shumë foto të tjera ku shihen njerëz në vështirësi nga moti i keq, ndërsa disa rrugë ishin bërë të pakalueshme, ndërsa edhe shumë biznese janë dëmtuar. Një fytyrë tjetër në pjesën tjetër të vendit. Qyteti bregdetar Brighton-it u mbush plot me vizitorë të martën, ndërsa Britania regjistroi ditën më të ngrohtë të shtatorit që prej vitit 1911. Me temperaturat që u rritën mbi 34 gradë celsius në disa zona në jug të Anglisë, shumë njerëz ju drejtuan parqeve e zonave bregdetare për t’u freskuar. Zyra meteorologjike njoftoi në llogarinë e saj në Twitter se termometri kishte shënuar 34.4 gradë celsius në qytezen e Gravesend në Kent, në juglindje të Londrës, duke e bërë 13 shtatorin ditën më të nxehtë të vitit.