Prefektura e Qarkut Shkodër ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar rritje të ndjeshme të prurjeve në kaskadën e Drinit, si pasojë e reshjeve intensive.
Sipas Korporata Elektroenergjike Shqiptare (KESH), janë nisur shkarkime të kontrolluara nga hidrocentralet e Fierzë, Koman dhe Vau i Dejës, pas monitorimit të vazhdueshëm të situatës.
Është konstatuar rritje e niveleve të lumenjve Drin dhe Bunë, si dhe e Liqenit të Shkodrës. Në zonën e Obotit ka prezencë uji kryesisht në tokat bujqësore, pa rrezik për banesat deri më tani. Aksi lidhës me rrugën kryesore paraqet prezencë uji rreth 40–50 cm, duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve të vogla.
Në terren ndodhen 2 mjete të kalueshmërisë së lartë dhe 10 efektivë të Forcave të Armatosura, në gatishmëri për çdo nevojë emergjente.
Ndërkohë, aksi Bogë–Theth mbetet problematik për shkak të reshjeve intensive të borës dhe orteqeve në zonën e Qafës së Thorës, ku po punohet për hapjen e rrugës. Në aksin Hani i Hotit–Vermosh qarkullimi kryhet vetëm me goma dimërore.
Nga bashkitë Malësi e Madhe, Vau i Dejës, Pukë dhe Fushë-Arrëz nuk raportohen problematika. Strukturat e mbrojtjes civile vijojnë monitorimin e situatës.

Artikulli paraprakSHKARKIMET, DHJETRA HEKTARË TOKË NËN UJË NË NËNSHKODËR
Artikulli tjetërKOSOVA FESTON 18 VJETORIN E PAVARËSISË