Masakrat e ISIS, vriten civilë në përgjigje të sulmeve

Militantët e Shtetit Islamik nuk tërhiqen nga vala e terrorit në Mosul, edhe pse qyteti është prej ditësh nën ofensivën e forcave irakiane dhe aleatëve të tyre kurdë. Ekstremistët ekzekutuan 40 civilë nën akuzën e tradhtisë dhe trupat e tyre i varën në shtyllat elektrike të disa lagjeve të qytetit. Një burrë raportohet të jetë qëlluar për vdekje në publik, sepse injoroi urdhrin e Shtetit Islamik për të mos përdorur telefon celular. Trupat e Bagdadit po e vazhdojnë përpjekjen e tyre për marrjen e Mosulit. Qyteti i dytë më i madh i Irakut është prej dy vitesh në duart e grupit mizor islamik. Operacioni i nisur muajin e kaluar përfshin rreth 50 mijë ushtarë irakianë, policë, peshmerga kurdë, paraushtarake shiitë dhe pjesëtarë të fiseve arabo-sunite. Ndërkohë ka pasur akuza për barbarizma edhe nga ana e forcave qeveritare. “Amnesty International” raportoi të enjten se persona të veshur me uniforma të policisë federale irakiane kishin torturuar e vrarë 6 banorë të fshatrave në jug të Mosulit, të cilët dyshoheshin për lidhje me ISIS-in.

Artikulli paraprakNDRYSHON LIGJI,SEKUESTRIM E GJOBA PER RAKINE E VERERAT KLANDESTINE
Artikulli tjetërUSHTARET FRANCEZE NDEROHEN NE KORÇE