Vitin e kaluar, European Music Awards u zhvillua nëpërmjet Zoom, gjë që nuk i ndaloi të famshmit të shfaqeshin në tapetet e tyre të kuq virtual. Ndërsa këtë vit gjithçka iu kthye normalitetit, dhe çmimet u ndanë mbrëmjen e djeshme nga Budapesti i Hungarisë. BTS është grupi më i vlerësuar në historinë e MTV EMAs me 14 çmime në total. Ikonat e popit, Ed Sheeran dhe Taylor Swift, kampionët e Eurovision 2021, Måneskin, Olivia Rodrigo etj. ishin disa nga fituesit.

Mirëpo, mes fituesve ishte edhe një shqiptar! Gjon Muharremaj, i njohur me emrin e artit, Gjon’s Tears është vlerësuar me çmimin artisti më i mirë zvicerian. Lajmin e bëri me dije vetë këngëtari shqiptar në një postim në Instagram, ku shpreh falenderime për fansat që kanë votuar për të. “Pa ju, do të qëndroja në shtëpi, ndaj faleminderit për gjithçka”, ka shkruar ai.

Kujtojmë që në këtë kategori ai ka garuar përkrah artistes tjetër shqiptare, reperes Loredana. Ndërkohë, në mesin e shumë yjeve që shkëlqyen në tapetin e kuq të MTV EMA ishte dhe këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora.