Shqipëria synon të avancojë ndjeshëm rrjetin hekurudhor në vitet e ardhshme, me objektiv që projektet kryesore të transportit hekurudhor të krijojnë lidhje më të mira mes Tiranës, Durrësit, aeroportit dhe korridoreve rajonale deri në vitin 2030.

Zv.ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj deklaroi dje se linja Tiranë-Durrës dhe lidhja me Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit synohen të jenë funksionale brenda vitit 2027, ndërsa për segmentet Vorë-Hani i Hotit dhe Durrës-Rrogozhinë është parashikuar përfundimi deri në vitin 2030.

“2030-a për ne, për pjesën e projekteve siç është Tiranë-Durrës dhe lidhja me aeroportin e Tiranës, patjetër që është një realitet dhe ne shpresojmë që 2027-a të na gjejë me një linjë hekurudhore të rehabilituar. Ndërkohë për segmentet shtesë, pra për 4 km për kthimin e stacionit të trenit në Tiranë, ka një segmentim po themi. Por që Tiranë-Durrës dhe lidhjen me aeroportin, brenda 2027-ës urojmë ta kemi në funksionim, përveç elementeve të paparashikuar që nuk i shohim për momentin. Ndërkohë ka një progres të jashtëzakonshëm në kuptimin e kontraktimit, të gjitha procedurave të brendshme”, tha Muçaj në një intervistë televizive në “Scan”.

Për linjat Vorë-Hani i Hotit dhe Durrës-Rrogozhinë, zv.ministrja nënvizoi se ekziston një planifikim drejt vitit 2030, ndërsa institucionet janë të angazhuara për të shmangur pengesat në fazën e zbatimit. Sipas saj, në këtë periudhë pritet që projektet të sjellin rezultate konkrete për qytetarët. Projektet hekurudhore dhe përafrimi me standardet europiane të transportit janë pjesë e objektivit për integrimin e Shqipërisë në rrjetet europiane të transportit dhe përmirësimin e lidhjeve kombëtare e rajonale.

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakPARASHIKIMI I MOTIT/ DITA E SOTME SJELL RESHJE, SHTRËNGATA DHE DËBORË NË ZONAT MALORE
Artikulli tjetërSPITALI I SHKODRËS DREJT PROFILIT UNIVERSITAR