Mungesa e palestrave në stadiumin e ri “Loro Boriçi” pritet që të ngrejë në një protestë dhjetra trajnerë dhe sportistë.

Tashmë sipas firmës që ka kryer punimet, stadiumi i ri “Loro Boriçi” quhet i përfunduar edhe pse ende nuk është bërë pista e tartanit për atletikën dhe disa prej palestrave për sporte të ndryshme. Në këtë mënyrë tashmë po bëhen dy vite dhe këto ekipe me traditë dhe rezultate të Vllaznisë nuk kanë një vend se ku të stërviten. Kjo i ka irrituar dhe tashmë ka ardhur koha për të kërkuar të drejtën e tyre që është përfundimi i palestrave për të rinisur seancat stërvitore. Sipas projektit për stadiumin “Loro Boriçi” FSHF duhet që ta dorëzojë impiantin sëbashku me pistën e tartanit dhe palestrat e përfunduara. Deri më tani është bërë vetëm palestra e boksit dhe asnjë tjetër duke krijuar një shqetësim për trajnerët dhe sportistët. Gradualisht ka nisur dorëzimi i punimeve të firmës tek FSHF dhe kjo e fundit pritet që t’ia dorëzojë bashkisë Shkodër. Ajo që pritet të shihet është nëse kryetarja e bashkisë Voltana Ademi do pranojë që ta marrë në dorëzim stadiumin pa u përfunduar të gjitha punimet siç janë të parashikuara në projekt. Kryebashkiakja disa here ka theksuar se punimet duhet të dorëzohen të gjitha të përfunduara. Duhen afro 5 miliard lekë të tjera shtesë për të përmbyllur edhe pistën e tartanit dhe palestrat të cilat kanë qenë më përpara dhe për të cilat FSHF i ka parashikuar në projektin e saj në stadiumin “Loro Boriçi”. Ende është në dyshim se çfarë do të ndodhë me fatin e shumë sporteve të ndryshme që janë pjesë e “Sport Klub Vllaznia”. Deri atëherë trajnerët dhe sportistët nuk do qëndrojnë duarkryq por do protestojnë duke kërkuar palestrat.

Artikulli paraprakFAMILJA QOSAJ, PREJ NJË MUAJI NË QIELL TË HAPUR
Artikulli tjetërPREFEKTI RADOVANI APEL BANORËVE : NDALNI GREVËN!