Në tetor të vitit 2017, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi Planin e Përgjithshëm Vendor – PPV për Bashkinë e Shkodrës. Miratimi i këtij plani, duhej ti hapte rrugën investimeve të gjithanshme në territorin e bashkisë duke gjeneruar të ardhura dhe zhvillim.

Në dhjetor 2022, u bë një rishikim i Planit të Përgjithshëm Vendor për Shkodrën, i cili duhej ti hapte rrugën miratimit të Planeve të Detajuara Vendore- PDV për të gjithë territorin e Bashkisë.

Procesi i hartimit dhe miratimit të Planeve të Detajuara Vendore për Bashkinë e Shkodrës, sot është stopuar. Kjo ka sjellë në mbi 50% të territorit bllokimin e lejeve të ndërtimit, duke penguar investimet, zhvillimin e territorit dhe gjenerimin e të ardhurave.

Mungesa e bashkëpunimit në mes Bashkisë Shkodër dhe Ministrisë së Kulturës, po mban peng edhe hartimin e miratimin e PDV- ve në zonën e mbrojtura dhe të trashëgimisë historike e kulturore të qytetit, pjesë të rëndësishme të të cilave po degradohen në vijimësi.

Është detyrë e Bashkisë Shkodër dhe e Ministrisë së Kulturës, të gjejnë gjuhën e bashkëpunimit për ti hapur rrugë zhvillimit të territorit, investimeve që sjellin të ardhura dhe punësim, aq të nevojshme për qytetin.

Planet e përgjithshme vendore të Shkodrës dhe të Lezhës, janë miratuar në një ditë. Ndërkohë, Lezha ka përfunduar hartimin dhe miratimin e PDV- ve, duke i dhënë një shtysë të madhe zhvillimit të territorit.

Përgjegjësia kryesore është e Bashkisë Shkodër, ashtu si edhe në rastin e mosfunksionimit të sistemit elektronik që është i bllokuar, mosplotësimin e stafit të nevojshëm në Drejtorinë e Urbanistikës apo Planifikimit të Territorit, duke sjellë probleme të shumta në një kohë aspak të lehtë për qytetin.

Pas sinjalizimeve të shumta të ardhura, Star Plus Televizion do të kërkojë informacion nga drejtues të Bashkisë Shkodër por edhe Ministrisë së Kulturës për Planet e Detajuara Vendore. Investimet nuk mund të bllokohen, zhvillimi i territorit nuk mund të ndalet, interesat e Shkodrës e shkodranëve, duhet të jenë parësore për Bashkinë por edhe Ministrinë e Kulturës.

 

Artikulli paraprakPO KALONTE NË MURIÇAN 200 MIJË EURO TË PADEKLARUARA, POLICIA I SEKUESTRON PARATË
Artikulli tjetërPOLICIA SHKODËR PEZULLON 9 LEJE DREJTIMI, VENDOS 667 GJOBA