Shqipëria po përballet me mungesë gjithnjë e më të theksuar të fuqisë punëtore për shumë sektorë të ekonomisë, ku vakancat e stafeve po prekin edhe sektorin për kujdesin e të moshuarve.

Përveç mungesës së mjekëve geriatër, qendrat private për të moshuarit po hasin vështirësi në gjetjen e kujdestarëve vendas. Emigracioni dhe largimi i fuqisë punëtore po i shtyjnë drejtuesit e këtyre qendrave të shqyrtojnë mundësinë e punësimit të shtetasve të huaj. Filipinet dhe Tunizia po shihen si burime të reja punësimi.

Megjithatë, shqyrtimi i mundësisë për punësimin e tyre në kujdesin ndaj të moshuarve, sipas drejtuesve të qendrës po shoqërohet me një sërë pikëpyetjesh, veçanërisht sa i përket kualifikimit profesional dhe mosnjohjes së gjuhës shqipe.

Nevoja për punonjës të huaj nuk kufizohet vetëm te bizneset dhe qendrat e kujdesit për të moshuarit. Punësimi i shtetasve të huaj është zgjeruar edhe në familjet shqiptare. Shtetase nga Filipinet po punësohen për kujdesin ndaj fëmijëve si dado, për kujdesin ndaj të moshuarve, si dhe për mirëmbajtjen e shtëpive.

Të dhënat e Regjistrit Elektronik për të Huajt, të dhëna për “Monitor” nga Policia e Shtetit, tregojnë se deri në qershor 2026, numri i shtetasve të huaj të punësuar në Shqipëri arriti në 22,6 mijë, nga 18,1 mijë në dhjetor 2025. Rritja e punësimit të të huajve është një tendencë që është forcuar vitet e fundit. Vetëm gjatë vitit 2025, numri i tyre u rrit me 43,4% krahasuar me vitin 2024.

Në mesin e punëmarrësve të huaj dominojnë shtetasit nga Filipinet, India dhe Egjipti. Për këto tri vende janë miratuar gjithsej 10,258 leje unike ose rreth gjysma e totalit./ Monitor

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakRAMA ZBARDH DISKUTIMET NË MBLEDHJEN PËR PRANINË BESNIKE: NJERËZIT DUHET TË NDIHEN TË QETË KUR VIJNË TË QAJNË NJË HALL
Artikulli tjetërGUSHTI ARRIN KULMIN E NXEHTËSISË/ MUAJI ‘THYEN’ REKORD PËR TEMPERATURAT E LARTA, EKUIVALENT ME KORRIKUN E 2023