
Mungesa e ndriçimit publik është kthyer në një shqetësim serioz për banorët e lagjes “Mark Lula”. Në një pjesë të madhe në segmentin rrugorë “Gjon Buzuku”, mungojnë llampat ose nuk funksionojnë prej një kohe të gjatë, duke e zhytur zonën në errësirë të plotë sapo perëndon dielli.
Sipas banorëve të zonës, lëvizja në orët e mbrëmjes është kthyer në një sfidë më vete dhe burim i vazhdueshëm rreziku.
Mungesa e ndricimit rrit pasigurinë për këmbësorët, veçanërisht për fëmijët dhe të moshuarit, ndërsa vështirëson së tepërmi edhe qarkullimin e automjeteve.
Banorët e lagjes “Mark Lula” apelojnë për ndërhyrje sa më parë në riparimin dhe vendosjen e sistemit të ndriçimit, me qëllim garantimin e sigurisë dhe rikthimin e normalitetit në jetën e tyre të përditshme.






