
Në Muriqan, toka vazhdon të punohet me të njëjtin mundim, por frytet e saj nuk po sjellin më të njëjtin rezultat. Thatësira, mungesa e tregut dhe e fuqisë punëtore po i vendosin fermerët përballë një sezoni gjithnjë e më të vështirë. 72-vjeçari Ahmet Sylejmani është një prej tyre. Prej vitesh ai punon tokën dhe kultivon produkte të ndryshme bujqësore. Por këtë vit, prodhimi i shegëve ka qenë shumë i dobët.
Për fermerin, problemi nuk nis dhe nuk përfundon te prodhimi. Edhe kur toka arrin të japë produkt, sfida e radhës është shitja. Në mungesë të një tregu të sigurt, fermerët thonë se detyrohen ta shesin prodhimin me çmime të ulëta, ndërsa fitimi përfundimtar mbetet minimal. Por përtej thatësirës dhe tregut, bujqësia në këtë zonë po përballet edhe me një tjetër problem: mungesën e njerëzve që mund ta punojnë tokën.
Në Muriqan, një pjesë e banorëve kanë ikur, ndërsa ata që kanë mbetur janë kryesisht në moshë të madhe. Për punët bujqësore, krahu i punës gjendet gjithnjë e më vështirë.
Ndërkohë, afërsia me kufirin u jep mundësi shumë prej banorëve të punojnë në Malin e Zi, duke e bërë edhe më të vështirë gjetjen e punëtorëve në fshat.
Sylejmani thotë se fermerët kanë nevojë për më shumë mbështetje konkrete dhe për një qasje më të afërt me realitetin e tokës që punojnë. Pavarësisht vështirësive, Ahmet Sylejmani vijon të punojë tokën, ashtu si shumë fermerë të tjerë të Muriqanit. Fermerët kërkojnë mbështetje konkrete për prodhimin, tregun dhe fuqinë punëtore, në mënyrë që toka të vijojë të punohet dhe bujqësia të mbetet një mundësi jetese në këtë zonë. Sepse pa mbështetje, rreziku nuk është vetëm humbja e një sezoni, por edhe braktisja e tokës dhe e një prej aktiviteteve kryesore të banorëve të zonave rurale.


