Në qarkun e Shkodër është rikthyer murtaja e rumitantëve të vegjël pas afro një viti, duke prekur njësinë administrative Dajç. Për këtë arsye, Ministria e Bujqësisë ka nxjerrë urdhër për vendosjen në karantinë të zonës në një rreze prej 3 deri në 10 kilometrash.
Rasti i parë për këtë vit është konstatuar në fshatin Mali i Gjymtit. Rreth 20 krerë dele të fermerit Sokol Volaj janë groposur, ndërsa pritet asgjësimi edhe i afro 60 krerëve të tjera. Rasti është konfirmuar zyrtarisht prej tre ditësh.
Dëmi i shkaktuar fermerit Volaj konsiderohet i madh, pasi llogaritet rreth 10–15 milionë lekë të vjetër, ndërsa ai shpreson të dëmshpërblehet.
Ndërkohë, administratori i njësisë administrative Dajç, Broz Pjetrani, thotë se ka dyshime për raste të tjera të murtajës tek bagëtitë e imta në këtë zonë, ndaj do të kryhen inspektimet dhe analizat përkatëse.
Përveç Dajç, Drejtoria Rajonale e Ekstensionit Bujqësor në Shkodër ka nisur kontrolle edhe në zona të tjera për shkak të rrezikut të përhapjes së sëmundjes. Murtaja prek kafshët, por nuk transmetohet tek njerëzit.
Vitin e kaluar në Shkodër u konstatuan tre raste të tilla, duke çuar në asgjësimin e bagëtive të imta dhe vendosjen në karantinë të zonave të prekura, sipas afateve ligjore të përcaktuara.

Artikulli paraprakEDUART MERKAJ EMËROHET NË KRYE TË SHËRBIMIT TË KONTROLLIT TË BRENDSHËM TË BURGJEVE
Artikulli tjetërHISTORIA, NËN ÇATINË QË PO SHEMBET