
Vllaznia kërkon të reagojë pas një starti jo të mirë të sezonit dhe në përballjen e rradhës me Teutën synon të marrë fitoren e parë në kampionat. Në prag të kësaj sfide, futbollisti Emiljano Musta u shpreh se skuadra shkodrane ka nevojë për një rezultat pozitiv dhe se kuqeblutë do të bëjnë maksimumin për të marrë tri pikët ndaj durrsakëve.
Musta u ndal më pas edhe te ajo që ndodhi në ndeshjen e zhvilluar në Elbasan, ku ndaj tij pati sharje dhe fyerje gjatë gjithë sfidës. Futbollisti i Vllaznisë sqaroi se sipas tij, personat që e kanë ofenduar nuk kanë qenë tifozët e Elbasanit, por drejtues dhe pjesëtarë të administratës së klubit, ndërsa foli edhe sa i përket largimit nga Elbasani.
Tashmë, me fanellën e Vllaznisë, Emiljano Musta kërkon të lërë pas të kaluarën dhe të fokusohet te objektivat e skuadrës shkodrane, teksa sfida me Teutën është mundësia e rradhës për kuqeblutë që të reagojnë dhe të marrin fitoren e parë të sezonit.


