Muzika qytetare shqiptare u soll në një formë ndryshe, mes ritmeve blues dhe jazz , në skenën e Pallatit të Kulturës “Ded Ndue Lazri” në Lezhë. Protagonistë të mbrëmjes artistike ishin motër e vëlla, Ester Shema në flaut e vokal, si dhe Aron Shema në kitarë, të shoqëruar nga profesorët e muzikës Mirger Tusha dhe Mitea Kakusi.E gjithë performanca erdhi live, duke dhuruar momente magjike dhe plot emocione për publikun që kishte mbushur sallën.
Interpretuesit e këtij koncerti u shprehen se kjo mbrëmje erdhi si një bashkëpunim interesant mes brezave, duke rikthyer në skenë këngë që kanë bërë histori në muzikën shqiptare dhe njëkohësisht si një mënyrë për të ripërtërirë vlerat e saj artistike.
I pranishëm në këtë koncert kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, tha se aktivitete të tilla tregojnë se arti në qytet po zhvillohet dhe se të rinjtë po i japin një shtysë të rëndësishme jetës kulturore.
Koncerti i titulluar “Tinguj që jetojnë” zgjati rreth 60 minuta, duke tërhequr maksimalisht vëmendjen e publikut, i cili nuk i kurseu ovacionet dhe duartrokitjet.

Artikulli paraprakPËRPLASEN 2 AUTOMJETE, PLAGOSEN DREJTUESIT
Artikulli tjetërI KALOI STAFETËN KARAKAÇIT, BALLUKU: JAM KALITUR ME GJYQET PUBLIKE, MBËSHTES DREJTËSINË!