E ftuar në programin e kësaj të diele në “Dola te Ola” ishte këngëtarja Myfarete Laze, e cila nëpërmjet fotografive rrugëtoi nëpër kujtime.

Ajo rrëfeu se nuk e ka patur ëndërr të bëhej këngëtare, por gjithmonë i ka pëlqyer të këndojë dhe në këtë mënyrë u bë pjesë e pandarë e muzikës. Këngëtarja zbuloi se dëshira e saj fëmijë ka qenë të bëhej doktoreshë.

Myfaretja rrëfeu se rruga e saj artistike nuk ka qenë e thjeshtë pasi familja e saj ishte e persekutuar.

Ajo tregoi se pasi mbaroi klasën e tetë nuk iu dha menjëherë e drejta e studimit. Këngëtarja arriti të futej në shkollën e muzikës pas 3 muajsh falë përpjekjeve të të atit.

Artisja rrëfeu se origjina e saj është nga Saranda, por fatmirësisht ajo u rrit në Shkodër, vend për të cilin tha se i mirëpriste familjet të cilat nuk pëlqeheshin nga pushteti i asaj kohe. Myfaretja tregoi se gjyshi i saj dhe vëllezërit e tij janë pushkatuar, por që ajo vetë deri në maturë nuk ka qenë në dijeni të situatës në të cilën ndodhej familja e saj.

“U rrita mes artistëve që nga klasa e dytë fillore”, tha këngëtarja, teksa kujtoi në program edhe pjesëmarrjen e saj të parë në Festivalin e 19 të Këngës. Ajo tha se një mbështetje e madhe për të në Festival ka qenë Osman Mula.

Myfaretja në Festival mori pjesë me dy këngë një me Vaçe Zelën dhe një me Lindita Theodhorin, ku fitoi dy çmime të parin dhe të tretin. “Ishte një sukses i paparë, por isha e pavetëdijshme për të”, tha ajo teksa kujtoi me emocion edhe duartrokitjet që kishte marrë.

Këngëtarja rrëfeu edhe vështirësitë që kishte hasur për të hyrë më pas në natën finale të Festivalit, pasi iu ndalu sërish për shkak të biografisë së familjes së saj. “Kam shkruar 20 minutat e fundit, por gjithsesi nuk m’u lejua të këndoja këngën fituese, edhe pse Vaçe Zela po më priste”, tha ajo, teksa shtoi se pas Festivalit ndryshoi çdo gjë për të.

Ajo së bashku me motrën e saj, e cila prej pesë vitesh i ishte mohuar e drejta e studimit, arritën të vazhdonin shkollën e lartë, ku Myfaretja zgjodhi degën gjuhë-letërsi.