
Drejtuesit e automjeteve pritet të përballen me ndryshime në taksat vjetore, ndërsa çmimi i naftës parashikohet të ulet me rreth 32 lekë për litër. Paketa e re fiskale e propozuar nga qeveria parashikon heqjen e taksës së qarkullimit nga çmimi i karburanteve dhe kalimin e saj te taksat vjetore të automjeteve. Sipas projektligjit, për disa kategori automjetesh detyrimi vjetor mund të dyfishohet. Konkretisht, një automjet me naftë, i vitit 2013 dhe me cilindratë 2 mijë kubikë, që aktualisht paguan 9 mijë lekë në vit, parashikohet të paguajë 18 mijë lekë.
Ndryshimet do të prekin edhe mbi 10 mijë automjete elektrike që qarkullojnë në Shqipëri. Për këto mjete propozohet vendosja për herë të parë e një takse vjetore prej 15 mijë lekësh, ndërsa për motomjetet elektrike 1 mijë lekë.
Rritje parashikohet edhe për automjetet luksoze, për të cilat taksa vjetore pritet të kalojë nga 21 mijë në 40 mijë lekë. Një tjetër risi është vendosja e një takse për automjetet me targa të huaja që hyjnë në Shqipëri, e cila pritet të përcaktohet në bazë të ditëve të qëndrimit.
Ndërsa qeveria argumenton se ndryshimet do të sjellin uljen e çmimit të karburanteve, mbetet për t’u parë ndikimi real në xhepat e qytetarëve. Propozimet janë pjesë e paketës fiskale dhe ende nuk kanë hyrë në fuqi.
https://youtu.be/gXmYtx34sMU


