
Nafta në Shqipëri është ndër më të shtrenjtat në Europë, por për konsumatorin shqiptar kostoja reale është edhe më e lartë kur çmimi i karburantit vihet përballë të ardhurave. Çmimi i një litri naftë në Shqipëri ka arritur në 229 lekë (2.46 euro), duke e renditur vendin të tretin në Europë, pas Danimarkës me 2.60 euro dhe Norvegjisë me 2.56 euro. Në rajon, në Serbi nafta ka arritur në gati 2 euro, në mal të Zi 1.87 euro, Bosnjë Hercegovinë 1.76, në Mal të Zi 1.87 euro, në Kosovë 1.85 euro dhe më i liri është në Maqedoninë e Veriut, me 1.64 euro. Mesatarja europiane e çmimit në vendet e përfshira në krahasim është rreth 1.94 euro për litër.
Në Shqipëri, të ardhurat për frymë sipas fuqisë blerëse janë rreth 25.2 mijë dollarë ndërkombëtarë në vit. Të ardhurat ditore për frymë janë rreth 69.2 dollarë, ndërsa një litër naftë përfaqëson 3.56% të të ardhurave ditore, më e larta në Europë. (shiko grafikun: Përqindja e të ardhurave ditore që duhet për të blerë një litër naftë).
Një danezi, në vendin ku nafta është më e shtrenjta në vlerë, i duhen 1.06% e të ardhurave ditore për të boerë një litër naftë, teksa të ardhurat ditore për frymë janë 245 dollarë ndërkombëtare, ose gati 10 herë më të larta se një shtetas shqiptar.
Në Norvegji, që është shteti i tretë me të ardhurat më të larta për frymë në Europë, sipas fuqisë blerëse, pas Irlandës dhe Luksemburgut, duhen 0.8% e të ardhurave ditore.
Në të gjitha vendet europiane të marra në analizë, mesatarja e të ardhurave ditore për të blerë një litër naftë është 1.36%. Pra, për një qytetar shqiptar, blerja e një litri naftë përfaqëson rreth 2.6 herë më shumë të ardhura ditore sesa për një qytetar europian mesatar dhe këtu janë përfshirë të gjitha shtetet e Europës.
Nëse krahasimi bëhet vetëm për vendet e Bashkimit Europian, që kanë të ardhura për frymë më të larta se pjesa tjetër, mesatarja është 1.14%, pra një shqiptar duhet të shpenzojë rreth 3.1 herë më shumë nga të ardhurat e tij ditore për të blerë një litër naftë, krahasuar me qytetarin mesatar të BE-së.
Ndërkohë, Shqipëria vijon të ketë çmimet më të larta të karburanteve në rajon për shkak të barrës së lartë fiskale që zë gati 50% të çmimit dhe mungesës së masave fiskale.
Po ashtu në të gjitha vendet e rajonit mbi çmimin bazë të naftës llogaritet vetëm akciza dhe TVSH. Në disa shtete të rajonit akciza është 2% më pak. Në Maqedoninë e Veriut TVSh është 18% për naftën dhe benzinën, por u ul në 10% gjatë periudhës së rritjes së çmimeve./Monitor


