Rritja e çmimit të naftës nuk ka sjellë një ulje të ndjeshme të konsumit në Shqipëri. Pavarësisht kostos më të lartë për drejtuesit e mjeteve, importet e karburanteve gjatë periudhës mars-korrik 2026 ranë vetëm me 1.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Të dhënat tregojnë se në pesë muaj u importuan rreth 305.8 mijë tonë karburante, kundrejt 309.6 mijë tonëve një vit më parë. Rënia ishte më e dukshme në prill dhe maj, kur importet u ulën përkatësisht me 14.3% dhe 7.3%. Në mars, ndërkohë, importet u rritën me 2.8%.

Një nga arsyet pse kërkesa për karburant mbetet e lartë lidhet me mungesën e alternativave të transportit. Jashtë Tiranës dhe për udhëtimet ndërqytetëse, automjeti mbetet për shumë qytetarë mjeti kryesor i lëvizjes.

Shqipëria është gjithashtu i vetmi vend në Europë pa transport hekurudhor funksional. Krahas çmimit të lartë, Shqipëria ka edhe një ngarkesë të konsiderueshme fiskale mbi karburantet. Akciza, taksa e qarkullimit, taksa e karbonit dhe TVSH-ja përbëjnë së bashku mbi 100 lekë për litër në çmimin e naftës.

Në Shqipëri, krahas ndërhyrjes përmes Bordit të Transparencës, u aplikua për një periudhë të shkurtër edhe një ulje prej 20% e akcizës, pasi çmimi i naftës kaloi 220 lekë për litër. Masa u përdor në fillim të prillit, kur çmimi arriti 224 lekë për litër. Më pas çmimet ranë nën pragun që aktivizonte uljen.

Në një kohë kur çmimi i naftës është rritur ndjeshëm, të dhënat tregojnë se përdorimi i automjetit është ulur vetëm në një masë të vogël. Për konsumatorët, kjo ka sjellë një faturë më të lartë, ndërsa rritja e çmimit ka ndikuar edhe në të ardhurat nga TVSH-ja./Monitor

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakRRETHUAN 2 ORË HYRJEN E KRYEMINISTRISË DHE U PËRPLASËN ME POLICINË, 14 PROTESTUES TË ARRESTUAR
Artikulli tjetërTENSIONET DJE NË PROTESTËN PARA KRYEMINISTRISË, REAGON BARDHI: KUR PUSHTETI NUK KA MË ARGUMENTE, PËRDOR FORCËN