Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut, NATO ka ftuar Malin e Zi që të jetë pjesë e saj, si shteti më i ri i aleancës. Ftesën për anëtarësim e ka bërë kreu i kësaj organizate, Stoltenberg i cili këtë ftesë e ka konsideruar si një ngjarje historike për Malin e Zi dhe një ditë historike për Ballkanin Perëndimor.

  Nga ana tjetër, Mali i Zi këtë ftesë të bërë nga NATO e knsideron si një moment historik për vendin.  Mali i Zi me 600 mijë banorë praktikisht do të jetë vendi i 29 i NATO-s. Shqipëria dhe Kroacia u pranuan në vitin 2009.  Ndërkohë Rusia ka paralajmëruar gjithmonë kundër përfshirjes së Malit të Zi në NATO, duke thënë se kjo gjë do të ishte një kërcënim për stabilitetin në Ballkanin perëndimor. Negociatat për futjen e Malit të Zi në NATO pritet të zgjasin rreth një vit.Anëtarësimi në NATO krijon mundësinë që nëpërmjet pjesëmarrjes aktive në vendimmarrjen e Aleancës të jepet kontribut në përpunimin e çështjeve që lidhen me sigurinë euroatlantike e, për rrjedhojë, edhe me sigurinë kombëtare.Objektivi kryesor i Aleancës mbetet përballimi i sfidave të sigurisë të shekullit të 21. Ashtu si edhe më parë siguria e vendeve anëtare të NATO-s bazohet në Nenin 5 të Traktatit të Uashingtonit që është edhe parimi themelor i “mbrojtjes kolektive” të Aleancës.  Ky nen, i cili përcakton se sulmi ndaj një vendi anëtar të NATO-s është sulm ndaj të gjitha vendeve, duke parashikuar mbrojtën kolektive, mori një rëndësi të veçantë si pasojë e rreziqeve të sigurisë që u materializuan gjatë vitit të kaluar dhe që u trajtuan gjerësisht në Samitin e NATO-s në Uells.  Nëpërmjet adoptimit në Uells të Planit (RAP), vendet aleate ndërmorën hapat e nevojshme për të përforcuar sigurinë euroatlantike ndaj kërcënimeve që vijnë nga lindja dhe nga jugu i territorit të vendeve aleate.