
Një lajm i trishtë për atletikën shkodrane dhe shqiptare ka ardhur mëngjesin e sotëm. Atleti shkodran Dardan Baraku ka ndërruar jetë pas një sëmundje të rëndë në moshën 16 vjeçare. Dy javët e fundit ai kishte ndierë shqetësime të ndryshme dhe pavarësisht përkujdesjes maksimale të familjes, ai nuk ia ka dalë. Një humbje jashtëzakonisht e madhe për familjen Baraku por edhe për komunitetin e atletikës, për ndarjen nga jeta të këtij sportisti kampion.
Lajmin e dhimbshëm e ka bërë të ditur vetë Shoqata e Atletikës Vllaznia përmes një postimi në faqen e saj ku shkruan: “Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta pas një sëmundjue të rëndë të atletit tonë të ri Dardan Baraku, kampion i Shqipërisë në garën e 100 metrave për grupmoshën U16. Dardani ishte një djalë i talentuar, i përkushtuar dhe shembull i pasionit për atletikën. Me punën, disiplinën dhe rezultatet e tij, ai i solli krenari Shoqatës së Atletikës Vllaznia dhe sportit shkodran, duke lënë gjurmë në zemrat e trajnerëve, bashkëmoshatarëve dhe të gjithë atyre që e njohën. Humbja e tij është një dhimbje e madhe për familjen, miqtë, komunitetin sportiv dhe për të gjithë ne që patëm fatin ta shihnim të rritej si sportist dhe si njeri.
Në këto momente të vështira, Shoqata e Atletikës Vllaznia i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Baraku, të afërmve dhe miqve të Dardanit, duke ndarë me ta këtë dhimbje të madhe. Ndërsa edhe bashkia Shkodër ka reaguar me një mesazhë, ku I shpreh ngushëllimet familjes Baraku, të afërmve , shoqatës së atletikës Vllaznia dhe të gjithë komunitetit sportive për ndarjen nga jeta të atletit shkodranë Dardan Baraku.






