Mëngjesin e sotëm, sporti shkodran ka marrë një lajm të hidhur. Futbollisti i Vllaznisë në futsall, Ermir Lera, ka ndërruar jetë në moshën 34-vjeçare, duke lënë pas një hidhërim të thellë tek familja e tij dhe poashtu edhe tek komuniteti i futbollit. 34-vjeçari ka pësuar një aksident pak ditë më parë dhe si rrjedhojë, prej 10-ditësh ka qëndruar në reanimacion me shpresën se do t’ia hidhte, por fatkeqësisht nuk ka ndodhur një gjë e tillë, sepse gjithçka është mbyllur sot, me Lerën i cili ndahet nga jeta në një moshë tepër të re. Ai, përveçse ka qenë pjesëtar i Vllaznisë së futsallës, ka qenë edhe mësues i edukimit fizik në shkollën 9-vjeçare të qytetit të Shkodrës, “Ndre Mjeda”, teksa ka transmetuar tek nxënësit e tij pasionin që kishte ai për sportin.
Të gjithë sportdashësit shkodranë e mbajnë mend futbollistin Lera për lojën me mjaft grintë dhe golat e shënuar me ekipin e futsallës së Vllaznisë në sezonin e kaluar, teksa ai ka qenë një ndër protagonistët kryesorë të ekipit kuqeblu në shumë prej sukseseve të arritura. Trajneri i Vllaznisë, Bujar Celufaj, bashkë edhe me drejtuesit e tjerë të ekipit të futsallës, kishin një projekt serioz edhe për sezonin e ri me futbollistët e kësaj skuadre, pjesë e së cilës ishte edhe Ermir Lera, por fatkeqësisht ky projekt do të vazhdojë pa të.
34-vjeçari po lëvizte me një monopatinë në zonën e Parrucës në Shkodër teksa ka rënë në një gropë. Nga ky aksidenti Lera është përplasur në tokë në pjesën e pasme të kokës duke u dëmtuar rëndë dhe duke qëndruar për 10-të në reanimacionin e spitalit ushtarak në Tiranë derisa fatkeqësisht humbi jetën. Me këtë rast, televizioni STAR PLUS i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Lera për humbjen e njeriut të tyre të dashur.