
Një lajm i trishtë ka mbërritur mbrëmjen e së martës për futbollin shkodran dhe atë shqiptar. Është ndarë nga jeta në moshën 78-vjeçare Ismet Hoxha, ish-futbollist i Vllaznisë dhe i Kombëtares shqiptare, duke lënë pas një dhimbje të madhe te familjarët, miqtë, të afërmit dhe të gjithë ata që e kanë njohur gjatë viteve të tij në futboll. Sipas informacioneve të para, ish-futbollisti Ismet Hoxha ka pësuar një infarkt. Ai është dërguar me urgjencë në spital, por, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk ka mundur t’ia dalë. Me ndarjen e tij nga jeta, Ismet Hoxha i ka dhënë lamtumirën familjes, njerëzve të tij më të afërt dhe shumë prej kolegëve me të cilët ka ndarë momente të rëndësishme gjatë karrierës së tij sportive.
Ismet Hoxha do të kujtohet për kontributin e dhënë në futboll, si pjesë e Vllaznisë dhe Kombëtares shqiptare, ndërsa emri dhe kujtimi i tij do të mbeten pjesë e historisë së futbollit shkodran. Në nderim të figurës së njohur sportive, ish kampionit të Vllaznisë, Ismet Hoxha, KF Vllaznia dhe Bashkia Shkodër, do të organizojnë homazhe paraditen e së premtes në stadiumin “Loro Boriçi”. Në këto momente të dhimbshme, TV “Star Plus” shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Hoxha, të afërmit dhe miqtë e tij. I përjetshëm qoftë kujtimi i Ismet Hoxhës!


