Eshtë ndarë nga jeta në moshën 77-vjeçare legjenda e futbollit shkodran, Ramazan Rragmi. Rragami vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë e cila i mori jetën , duke lënë pas një hidhërim jo vetëm tek familjarët e tij por edhe tek i gjithë komuniteti i futbollit shkodranë dhe shqiptarë . Krahas Vllaznisë, Rragami ka qenë prej vitesh edhe futbollist i skuadrës përfaqësuese të Shqipërisë. Rragami ka një jetë të mbushur me suksese në futboll, ndërsa do të mbahet mend edhe si lojtari që detyriu UEFA-n që të vendosë një rregull të ri për gjuajten e penalltive: “Një futbollist nuk mund të gjuajë më shumë se një goditje”.

Çfarë ndodhi?
Plot 46 vite më parë luhej finalja e Kupës së Shqipërisë, Vllaznia-Besa, më saktë ndeshja e kthimit, pasi bëhej me dy takime. Fundi i kësaj finaleje mbart në vetvete edhe një ndryshim rrënjësor në futbollin evropian që doli pikërisht nga ky takim. Takimi i parë në Kavajë kishte përfunduar 2-0 për vendësit dhe po aq përfundoi edhe ndeshja e kthimit në Shkodër. Vendësit arritën të kthenin gjithçka falë dy penalltive të kthyera në gol nga Ramazan Rragami. Kështu, takimi shkoi në shtesë dhe më pas sërish te pika e bardhë e 11-metërshave. Për Vllazninë, te pika e bardhë u afrua për pesë herë radhazi sërish Ramazan Rragami, duke shënuar që të pesta goditjet e bëra. Ndërsa nga ana tjetër, kavajasit arritën të shënonin vetëm tri penallti me Nimet Merhorin, pasi e fundit nuk u gjuajt fare (për shkak e nuk vlente më) sepse njëra prej tyre ishte pritur mjeshtërisht nga ish-legjenda e portës kuqeblu, Paulin Ndoja. Nuk kishte ndodhur kurrë më parë në futbollin botëror që një lojtar të gjuante të gjitha penalltitë (atëherë nuk ekzistonte rregulli që një lojtar duhet të gjuajë vetëm një penallti) dhe ky fakt bëri aq bujë, sa UEFA vendosi të ndryshojë rregullin e gjuajtjes së penalltive nga i njëjti person.

Deri në atë vit, kur ndeshja shkonte drejt penalltive, ishte rregull që 5 penalltitë e një ekipi i gjuante vetëm një lojtar. Rragami me saktësinë e tij bëri që gjërat të ndryshojnë. Rregulli i ri që u vendos më pas nga institucioni i futbollit evropian, bëri që 11-metërshat të ekzekutoheshin nga pesë futbollistë të ndryshëm. Bëhet fjalë vetëm për penalltitë pas kohës së rregullt dhe shtesës.