Artan Lame ka ndërruar jetë në moshën 58-vjeçare në Gjermani, pas një ndëhyrje të vështirë në zemër. Ai humbi jetën pas daljes nga gjendja e komës.
Lame lindi në Tiranë në vitin 1967, me origjinë nga fshati Qytezë i Kolonjës dhe la pas dy fëmijë. Lame ishte publicist, opinionist dhe koleksionist shqiptar. Studiues i historisë shqiptare, veprimtar i shoqërisë civile për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare.
Karriera e tij ishte e ndërthurur mes angazhimit intelektual dhe detyrave shtetërore, ku spikati si një drejtues i përkushtuar dhe me vizion.
Në vitin 2000 ishte Drejtor i Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës. Nga 2000-2002 nënkryetar i Bashkisë së Tiranës, 2002-2005 zëvendësministër i Territorit dhe Turizmit. Artan Lame do të mbahet mend veçanërisht për rolin e tij si Drejtor i Përgjithshëm i ALUIZNI-t (2013–2019), një institucion kyç në procesin e legalizimit të ndërtimeve informale. Më pas, ai mori drejtimin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, ku qëndroi deri në vitin 2023 dhe më pas u largua për arsye shëndetësore.
Përtej funksioneve publike, Lame ishte një njohës i thellë i historisë shqiptare dhe një zë i angazhuar në mediat shqiptare me analiza, shkrime dhe rubrika që sillnin në vëmendje ngjarje të rëndësishme historike. Koleksionist i pasionuar i artefakteve historike, ai kontribuoi edhe në promovimin e kulturës përmes ekspozitave dhe shkrimeve dokumentuese. Lame ka qenë kandidat për deputet i PS-së në zgjedhjet parlamentare 2005,2009,2013. Dhe në vitet 2011-2013 anëtar i grupit të punës për hartimin e Programit të PS-së.

Artikulli paraprakPROTESTË PËR PROBLEMATIKAT E ARSIMIT NË LEZHË
Artikulli tjetërÇIFTI QË SHËTIT BOTËN NË KËMBË